Sami Lushtaku pas akuzave të Kurtit: Do merrem privatisht me të, miza me më hangër kam me adresu te ai
Kryetari i Skënderajt, Sami Lushtaku, ka reaguar pas akuzave të Kryeministrit në detyrë, Albin Kurti, i cili ka deklaruar se Lushtaku ka synuar që me veturë zyrtare të shkaktojë aksident me eskortën ku ndodhej ai.
Lushtaku ka deklaruar se nuk ka lidhje më këtë rast, duke thënë se do të merret privatisht me Kurtin qoftë edhe përmes padive.
“Unë e di që Kurti është edhe mashtrues edhe rrenc, dhe kjo nuk i bën nder atij…Nuk është hera e parë që merret me mua. Nuk e di çfarë qëllimi ka ai, por miza me më hangër, unë dhe familja ime kemi me adresu te Albin Kurti. Privatisht kam me kërku që të merrem me të”.
Sipas Lushtakut, Kurti po shpif.
“Vetëm Kurti nëse ka frikë nga vetvetja, sepse unë lidhje nuk kam me atë rast. Ai ka qenë me ekskortë, dhe unë ka dalë nga pompa e benzinës, janë kamerat dhe nuk është mirë me u sjellë në këtë mënyrë”, ka thënë ai në T7.
Kurti ka deklaruar se Lushtaku ka synuar që me veturë zyrtare të shkaktojë ndeshje komunikacioni me eskortën ku ndodhej ai, teksa foli për incidentin e javës së kaluar në Skënderaj si dhe përmendi një tubim të Vetëvendosjes atje më 31 janar 2025.
“Kryetari i Komunës së Skënderajt, me veturë zyrtare 2-Z, ka synuar që të bëjë ndeshje komunikacioni me eskortën ku ndodhesha unë. …Tri vetura ishin aty…Kam qenë vetëm unë dhe mbrojtja e afërt e imja. Ka synu që ta ndërprejë qarkullimin e eskortës sonë në mënyrë të dhunshme”, ka deklaruar Kurti.



