Murati: Greva e paralajmëruar e mjekëve s’është në përputhje me legjislacionin

24 nëntor 2021 | 17:13

Ministri i Financave, Punës dhe Transfereve, Hekuran Murati, ka reaguar ndaj grevës së paralajmëruar për nesër nga punëtorët shëndetësorë në institucionet publike shëndetësore në vend.

Ai e ka kundërshtuar paralajmërimin e kësaj greve, duke thënë se nuk është në përputhje me legjislacionin në fuqi që rregullon mbajtjen e grevave.

Në profilin e tij në “Facebook”, ai ka shkruar se kjo grevë ka më shumë synime politike.

Postimi i plotë i Muratit:

Që nga marrja e mandatit kemi ndarë mbi 30 milionë euro shtesë në shëndetësi, për barna esenciale, luftën ndaj covid 19, dhe së fundmi edhe për shtesat e personelit shëndetësor në vlerë prej 10% të pagës.

Si Qeveri, jemi të përkushtuar që të punojmë për kushte më të mira për të gjithë punonjësit, si në sektorin publik, ashtu edhe privat.

Paralajmërimi i grevave që më shumë kanë synime politike sesa që brengosen për realizimin e të drejtave të personelit shëndetësor, nuk na shpie askund.

Për më tepër, greva e paralajmëruar për nesër nga FSSHK, nuk është në përputhje me legjislacionin në fuqi që rregullon mbajtjen e grevave, saktësisht nenet 6, 7 dhe 15 të ligjit për grevat.

Me qasje të tillë, humbin edhe pacientët edhe personeli shëndetësor.

Kurse ata që paralajmërojnë greva nuk humbin. Përkundrazi, në 5 vitet e fundit FSSHK ka pranuar mbi 3 milionë euro në emër të kontributeve që u janë ndalur nga paga personelit shëndetësor dhe u janë transferuar FSSHK-së. Dyshoj se ndonjëherë personeli shëndetësor janë njoftuar se ku kanë shkuar këto para.

Dhe krahas përfitimeve financiare, ata shtyjnë përpara edhe axhenda politike siç kishin bërë në vazhdimësi me partitë e pushteteve të kaluara kur në kohë fushate nënshkruanin “marrëveshje” të cilat kurrë nuk i zbatuan.

Zaten, nuk ka mundur të ketë shtet të kapur, pa disa sindikata fort të kapura.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Manchester Unitedi është në kërkim të pasuesit të Ole Gunnar…