Murati në Bruksel, rikonfirmon përkushtimin e Qeverisë për zbatimin e reformave në kuadër të Planit të Rritjes
Me ftesë të Presidencës së Këshillit të Bashkimit Evropian, ministri i Financave, Hekuran Murati, mori pjesë në Dialogun Vjetor Ekonomik dhe Financiar me partnerët rajonalë, i mbajtur në Bruksel në margjinat e takimit të Këshillit për Çështje Ekonomike dhe Financiare (ECOFIN).
Gjatë fjalës së tij, ministri Murati theksoi se ekonomia e Kosovës ka shënuar rritje prej 3.6%, pavarësisht tronditjeve nga jashtë, duke reflektuar qëndrueshmërinë makroekonomike dhe efektin e politikave të përgjegjshme fiskale.
Ai po ashtu rikonfirmoi përkushtimin e Qeverisë për zbatimin e reformave në kuadër të Planit të Rritjes, me fokus në zhvillimin ekonomik dhe avancimin e integrimit evropian.
Në takim morën pjesë ministrat e financave të presidencave të Këshillit të BE-së, si dhe përfaqësues të Komisionit Evropian dhe Bankës Qendrore Evropiane.
Ky dialog shërben si platformë e rëndësishme për koordinimin e politikave ekonomike ndërmjet BE-së dhe partnerëve rajonalë, duke i mundësuar Kosovës forcimin e bashkëpunimit me institucionet evropiane dhe harmonizimin me standardet e BE-së.



