Murati për Bahri Fazliun: Bashkë me dëshmorët e tjerë ndikoi në çlirimin e Kosovës
Valon Murati, bashkëveprimtar i Bahri Fazliut bashkë me kolegë ka bërë homazhe pranë varrit të këtij të fundit në 28-vjetorin e rënies së tij.
Murati ka thënë se Bahri Fazliu përpos që ishte luftëtar i kombit, ishte edhe shkrimtar dhe poet.
“Sot jemi mbledhë këtu bashkërisht për të nderuar për 28 vjetorin e rënies shokun tonë të dashur, bashkëluftëtarin, një prej udhëheqësve, ideologëve politikë të luftës çlirimtare, Bahri Fazliun – Gëzimin, i cili në moshën 28-vjeçare ka ra në trekufirin midis Kosovës, Shqipërisë dhe Malit të Zi, në atë tre kufi për të cilin ka luftuar për ta hequr dhe ka luftuar për t’i çliruar shqiptarët edhe për t’i bashkuar”, ka thënë Murati.
Sipas tij, Fazliu bashkë me gjithë dëshmorët e tjerë kanë ndikuar që Kosova të çlirohet.
“Sigurisht që ne sot jemi të nderuar, të pikëlluar, të emocionuar duke e kujtuar këtë figurë të madhe të luftës sonë çlirimtare sepse ai natyrisht në punën dhe veprën e tij bashkë me të gjithë dëshmorët e tjerë kanë ndikuar që një pjesë e atij misioni të realizohet, që Kosova të çlirohet. Sigurisht na mbetet edhe shumë të tjera, ideja e madhe e bashkimit shqiptar mbetet ende për t’u realizuar nga ne dhe brezat e tjerë”.
“Por ajo që është e rëndësishme është që të gjithë duhet të dinë më shumë për dëshmorët, e për Bahriun ka çka të dihet shumë sepse ky nuk ka qenë vetëm një aktivist, nuk ka qenë vetëm një luftëtar i thjeshtë por ka qenë edhe një poet, ka qenë edhe një artist, ka qenë edhe një analist, ka qenë pra një intelektual me plot kuptimin e fjalës edhe gjithë jetën e tij, gjithë punën, veprën ja ka kushtuar lirisë së vendit, Kosovës, popullit shqiptar por edhe njerëzimit. Ka qenë njeri përtej dimensioneve të vetëm të vendit të tij”, ka thënë Murati.



