Muriqi dhe Muslija: Në Izrael shkojmë për fitore, bashkë do ta bëjmë historinë

21 mars 2023 | 22:09

Përfaqësuesja e Kosovës ka vazhduar sot me stërvitjen e radhës në kuadër të përgatitjeve për dy ndeshjet e para kualifikuese për Euro 2024.

Për dallim nga dita e djeshme kur në stërvitje ishin të pranishëm vetëm 11 futbollistë, kësaj radhe përzgjedhësi Alain Giresse pati në dispozicion të gjithë futbollistët e grumbulluar, me ç’rast shpalosi pikëpamjet e tij dhe skemat e lojës për ndeshjen e parë kundër Izraelit. Dëshira për ta nisur mbarë këtë cikël kualifikues vërtet tek secili prej futbollistëve dhe anëtarëve tjerë të ekipit kombëtar. Ata nuk mund ta fshehin entuziazmin e tyre për të përfaqësuar me dinjitet kombin e tyre në fushën e gjelbër dhe për t’i bërë krenarë tifozët dardanë.

Vedat Muriqi: “Jemi duke u përgatitur me optimizëm prej ditës së parë. Jemi me fat që kemi lojtarë në formë. Grupi ynë nuk është i lehtë por kemi gjasa të mëdha për kualifikim. Gjithsesi nuk mjaftojnë vetëm fjalët, por këtë duhet ta bëjmë edhe me punë brenda fushës dhe jashtë fushës. Mendoj që kemi kualitet për dy pozitat e para që na e sigurojnë kualifikimin në Evropian. Me përkrahjen e tifozëve dhe të shtetit tonë, besoj se me shokët e mi brenda fushës do t’ia arrijmë qëllimit dhe do ta bëjmë historinë bashkë. Shumica e lojtarëve janë që kanë shumë minutazh në ekipet e tyre dhe janë në formë të shkëlqyeshme, prandaj sigurisht që kjo do të vërehet që nga ndeshja e parë. Normalisht duhet edhe pak fat, por do të shkojmë në Izrael për fitore. Izraeli së bashku me Zvicrën janë rivalët më të fortë në grup dhe që parashikohet ta kalojnë grupin. Por, ne do të shkojmë atje ta bëjmë surprizën. Kur them surprizën e them në aspektin medial, ngase për neve nëse fitojmë atje nuk është surprizë sepse ne po shkojmë atje për fitore, pasi synojmë t’i fillojmë mbarë kualifikimet. Me këtë kualitet që kemi besoj se do të arrijmë diçka që e kemi pritur për shumë vite. Na ka marrë malli për tifozët tanë ‘Dardanët’, të cilët na përkrahin anë e mbanë botës pa marrë parasysh se ku jemi. Dua që ata vetëm të kenë durim dhe të na përkrahin si gjithmonë”.

Florent Muslija: “Pres shumë nga ky cikël kualifikues. Mendoj se i kemi mundësitë shumë të mira për të arritur në Evropian. E kemi ekipin shumë të fortë dhe shpresoj se do të arrijmë maksimumin. Atmosfera është fantastike dhe sigurisht se të gjithë jemi të lumtur që jemi këtu. Shpresoj se do të arrijmë të kallxojmë veten për vendin tonë. Kundër Izraelit pres një ndeshje shumë të mirë dhe jam optimist se do ta fitojmë ndeshjen sepse e kemi kualitetin. Mesazhi për Dardanët? I falënderoj të gjithë ata që po na përkrahin dhe shpresoj se do t’i sjellim pikët e plota në Kosovë”.

 

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
5 deputetë të Kuvendit në Shqipëri do të lënë mandatin…