Murtezaj mohon të ketë monopol për shfrytëzimin e pajisjeve elektronike dhe sistemeve fiskale

19 korrik 2019 | 13:58

Autoriteti Kosovar i Konkurrencës (AKK) ka nisur hetimet ndaj Administratës Tatimore të Kosovës (ATK) për moszbatimin e Udhëzimit Administrativ 02/2018, për shfrytëzimin e pajisjeve elektronike dhe sistemeve fiskale. Kështu u tha në një njoftimin e AAK-së.

Autoriteti Kosovar i Konkurrencës ka njoftuar se ka nisur hetimet pas ankesës nga një ndërmarrje e cila pretendon se ATK-ja qëllimisht nuk e ka zbatuar këtë udhëzim administrativ për t’ua pamundësuar të instalojë pajisje të reja fiskale në tregun përkatës.

“Dyshimet fillestare janë se me kufizimin e ofrimit të shërbimeve të kompanive të licencuara në tregun përkatës, të pajisjeve elektronike dhe sistemeve fiskale, biznesit i privohet e drejta e zgjedhjes për marrjen e shërbimeve tek operatorët ekonomikë të licencuar. ATK me këto veprime mund të shpie tek format e keqpërdorimit të pozitës dominuese, marrëveshjeve të ndaluara apo praktikave të bashkërenduara”, është theksuar në njoftimin e AKK-së.

Lidhur me këtë çështje, drejtori i ATK-së, Ilir Muretzaj, ka thënë se është e drejtë e secilit institucion gjegjës që të fillojë hetimet, por ka mohuar që të ketë monopol në shfrytëzimin e pajisjeve elektronike dhe sistemeve fiskale.

Ai u është përgjigjur edhe një herë pretendimeve të Autoritetit Kosovar të Konkurrencës lidhur me hetimet për “keqpërdorim të pozitës dominuese”, respektivisht mos zbatim të Udhëzimit Administrativ 02/2018,për shfrytëzimin e pajisjeve elektronike dhe sistemeve fiskale, raporton “Epoka e re”.

“Ministria e Financave në vitin 2018 ka miratuar një Udhëzim Administrativ përmes së cilit lejohet që të gjitha bizneset qoftë ato që prodhojnë, importojnë apo pretendojnë për të shitur ta kenë mundësinë për t’u licencuar si operatorë ekonomikë. Andaj, nuk ka asnjë kufizim dhe nuk ka asnjë monopol, por është një treg i hapur për të gjithë ata që shprehin interes. Aktualisht kemi gjashtë operatorë që janë të licencuar, nga ta katër kanë të drejtë të shitjes dhe të gjithë kanë mundësi për të shitur, pra është e drejtë e secilit organ që të hetojë cilindo proces. Ne jemi të hapur për çfarëdo hetimi që mund të jetë. Monopol nuk ka pasi janë katër kompani  duke shitur. Deri më tani nuk ka ndonjë kërkesë në pritje për licencim. Inkurajojmë që kushdo që e sheh si potencial për të zhvilluar aktivitet të aplikojë dhe nëse i plotësojnë kriteret. Atëherë mund të operojnë”, ka deklaruar Murtezaj në konferencën e organizuar të premten me rastin e prezantimit të arriturave dhe aktiviteteve të ATK-së për periudhën gjashtëmujore të këtij viti.

 

/Epoka e re/ A. MAVRAJ

 

 

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
“Më 17 korrik, një djalosh nëntëvjeçar u vra në Fushë…