Musliu: Gjuha e Kurtit dhe Dejona Mihalit kundër ish-luftëtarëve të UÇK-së ka qëllim provokimin emocional
Kandidatja për deputete nga radhët e PDK-së, Ganimete Musliu, ka deklaruar se gjuha e “Albin Kurtit, Dejona Aleksander Mihailit dhe Vetëvendosjes në përgjithësi kundër pjesëtarëve të UÇK-së”, ka vetëm një qëllim: “provokimin emocional dhe largimin e vëmendjes nga dështimet, korrupsioni dhe keqqeverisja”.
Musliu ka shkruar në “Facebook” se kur mungojnë rezultatet, sipas saj, fillojnë sulmet ndaj historisë më të lavdishme.
“Kur nuk kanë çfarë t’u ofrojnë qytetarëve, tentojnë të përçajnë popullin duke prekur plagët dhe krenarinë kombëtare. Nuk duhet të biem në këtë kurth”.
“Nuk duhet të lejojmë që debatet e sajuara të na largojnë nga problemet reale me të cilat përballet vendi çdo ditë: varfëria, ikja e të rinjve, stagnimi ekonomik dhe mungesa e perspektivës. UÇK-ja është krenaria jonë kombëtare dhe nuk mund të përdoret si mjet për manipulime politike”, ka shkruar Musliu.



