Musliu: Kryeministri Kurti mashtroi Kosovën për dialogun

22 qershor 22:18

E ftuar në emisionin “Balkan Talks” në Euronews Albania anëtarja e kryesisë së PDK-së, Ganimete Musliu akuzoi kryeministrin Albin Kurti, se në 100 ditët e para të qeverisjes ka bërë të njëjtat gjëra, për të cilat më parë ka akuzuar paraardhësit e tij.

“Ai mashtroi gratë e dhunuara, nënat e fëmijëve të zhdukur dhe familjet e dëshmorëve duke thënë se nuk do ulej në tavolinë me Vuçiç, pa kërkuar të paktën falje Serbia. Ai e bëri këtë dhe nuk mund t’i thuash ndryshe një kryeministri si Albin Kurti, veç se një mashtrues , i cili luan me dhimbjen e popullit të vet dhe me fatin e dhimbshëm të popullit të vet, për të arritur karrierën e tij personale, për të plotësuar egon e tij,” – tha Musliu, e cila e komentoi të pajustifikueshëm takimin në Bruksel.

“Në fazën që ai [Kurti] ka shkuar në bisedime, komplet takimi është i pajustifikueshëm për ne. Kurti duhet të kërkojë falje qytetarëve qoftë përmes parlamentit, qoftë përmes rrjeteve sociale, për mashtrimet që ka bërë, pasi ai nuk arriti të binte qeverinë e Serbisë të kërkonte falje,” – vijoi ajo.

Znj. Muliu tha se partia ku ajo bën pjesë i qëndron mendimit që Shtetet e Bashkuara të Amerikës duhet të jenë pjesë e dialogut, ndërsa në 100 ditët e para të qeverisjes, sipas saj Vetëvendosje ka vënë në diktat të plotë mbi administratën e vendit.

“Thjesht është një tendencë për të ushtruar një kontroll dhe një diktat të plotë mbi administratën e vendit dhe mbi të gjithë. Ditët e fundit kemi pasur shkarkime të bordeve të agjencive të pavaruar pa asnjë arsye dhe pa asnjë vërejtje. Ai dëshiron t’i mbushë me familjarët e vetë dhe me militant të partisë, të cilët ai ka drejtuar për këto 10 vite,” – shprehet kryetarja e anëtarësisë së PDK-së.

Diktatin e plotë të kryeministrit Kurti në administratë, sipas Musliu e tregojnë shkarkimet që ai bëri në “Agjencinë Kombëtare të Privatizimeve”, duke mos i qëndruar dhe premtimit të tij se do e mbyllte agjencinë.

“Nuk mbylli Agjencinë, por pati shkarkime dhe vendosja e një bordi të ri me njerëz të tij, për interesa të tij personale. Sikur ta sillte në mbyllje të Agjensisë, vota ime do ishte pro dhe do ta kisha përkrahu si vendim. Ai do që barrën e komplet privatizimeve në Kosovë, t’ia kalojë ish-bordit që shkarkoi. Kjo është e rendë dhe krijon precedentin se i forti bën gjithçka,”- thotë ajo, ndërsa shtoi se: “ Deri më tani nuk kemi asnjë vërejtje apo padi për çfarëdo qoftë, jo më për korrupsion. Sikur këta persona të cilët po shkarkohen të kishin vërejtje apo arsye se pse po shkarkohen unë e para do t’i duartrokisja në parlamentin e Kosovës.

Në fund të intervistës Muliu u shpreh se PDK-ja përmes “Komisionit Parlamentar të Jashtëm” i ka kërkuar z. Kurti të raportojë në parlament, për punën e bërë deri tani.

“Ne sot përmes Komisionit Parlamentar të Jashtëm i kemi kërkuar të raportojë në parlament. Ne do e kontrollojmë punën e qeverisë Kurti dhe do sjellim në vëmendje gjithë punën që ka bërë. Deri javën tjetër gjithçka do jetë e qartë sa i përket raportimit dhe do e ftojmë në një debat parlamentar, që ai të raportojë Kuvendit për punën që ka bërë dhe të ballafaqohet me pyetjet e deputetëve,” – përfundoi ajo.

 

 

 

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Opinionisti Milaim Zeka, thotë se nënkryetari i PDK-së, Sami Lushtaku…