Musliu: Kurti synoi arrestimin që militantëve t’u thoshte e lidha Sami Lushtakun
Kandidatja për deputete nga radhët e Partisë Demokratike e Kosovës, Ganimete Musliu, ka reaguar ashpër ndaj kryeministrit në detyrë, Albin Kurti, lidhur me ngjarjet e ndodhura në Skenderaj pas vendosjes së forcave policore në atë zonë.
Në emisionin Rubikon, Musliu deklaroi se pozicionimi i njësive speciale në disa pika të qytetit gjatë asaj nate ishte pjesë e një skenari të Kurtit për të demonstruar forcë ndaj Sami Lushtaku dhe Skenderajt.
Sipas saj, synimi i Kurtit ishte arrestimi spektakolar i Lushtakut për ta paraqitur më pas si sukses politik para mbështetësve të tij.
“Qëllimi i Kurtit atë ditë ka qenë me nxjerr të lidhur Sami Lushtakun në mënyrë të jashtëligjshme, me bërë spektakël, me nxjerr para mediave dhe me ua gjujt militantave të tij përpara me gjuhën që ‘ja unë e lidha Sami Lushtakun”, ka thënë Musliu.
Ajo shtoi se prania e madhe e forcave policore në Skenderaj nuk ka ende një shpjegim zyrtar nga institucionet e Kosovës.
“Përderisa shteti i Kosovës nuk e ka sqaru prezencën e forcave policore atë natë në 1 të natës, me armë të gjata e me maska. Kanë qenë në 10 pika të pozicionuar. Edhe pika me Vushtrrinë atë natë ka qenë e bllokuar me forca policore”, ka shtuar Musliu.



