Mustafa komenton deklaratën e ambasadorit Kosnett për Asociacionin, thotë se tani “trimat e dhunës e kanë fjalën”

16 qershor 2021 | 22:36

Ambasadori i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Philip Kosnett ka deklaruar gjatë ditës se Kosova e ka detyrim ta formojë Asociacionin e Komunave me shumicë serbe.

“Unë mendoj se Shtetet e Bashkuara me të vërtetë besojnë se Kosova ka një detyrim për ta formuar Asociacionin e komunave me shumicë serbe. Historia nuk filloi në ditën kur u formua Qeveria e Kurtit, dhe ne besojmë se vendet kanë detyrimin t’i respektojnë marrëveshjet dhe zotimet e bëra më parë… Unë e di që disa njerëz kanë thënë që ne kemi bërë mjaft kompromise, i takon dikujt tjetër të bëjë kompromis. Nuk është një mënyrë shumë produktive për të ecur përpara”, tha Kosnett për Radio Kontakt Plus.

E, deklaratat e ambasadori Kosnett i ka komentuar ish-kryetari i Lidhjes Demokratike, Isa Mustafa.

Mustafa në një përgjigje për FrontOnline ka thënë se Asociacioni është detyrim që rrjedhë nga Marrëveshja e Parë e vitit 2013, e ratifikuar me Ligj me votat e 2/3 të deputetëve, atëkohë, si Marrëveshje Ndërkombëtare.

“Është detyrim që rrjedhë nga Marrëveshja e Parë e vitit 2013 e ratifikuar me Ligj me votat e mbi 2/3 të deputetëve si Marrëveshje Ndërkombëtare. Edhe Gjykata Kushtetuese me Aktgjykim, ka konstatuar se kjo Marrëveshje ( e vitit 2013) duhet të zbatohet”, ka thënë Mustafa.

Sipas tij, Qeveria Kurti ose duhet ta anulojë Ligjin mbi ratifikimin e Marrëveshjes së parë, ku sipas tij, parashihet themelimi i Zajednicës së Vetëvendosjes (kur ishte në opozitë) dhe tani të Asociacionit (kur është në pushtet), apo ta implementojë atë.

“Tani Qeveria ose duhet ta anulojë Ligjin mbi ratifikimin e Marrëveshjes së Parë, ku parashihet themelimi i Zajednicës së VV-së ( sa ishte në opozitë) e tani Asociacionit, (kur është në pushtet) ose ta implementojë”, tha Mustafa.

E, duke folur për marrëveshjen e Asociacionit, Mustafa ka thumbuar Lëvizjen Vetëvendosje, duke thënë se tani “trimat e dhunës e kanë fjalën”.

“Ambasadori Kosnett në emër të SHBA-së po thotë se duhet ta implementojë, sepse si e mora vesh po i thotë që historia s’ka filluar me ty ( as nuk mbaron me ty). Tani trimat e dhunës e kanë fjalën”, ka deklaruar Mustafa, për FrontOnline.

Themelimi i Asociacionit të Komunave me Shumicë Serbe është paraparë me marrëveshjen e Brukselit ndërmjet Kosovës dhe Serbisë të vitit 2013. Asociacioni i Komunave me Shumicë Serbe parashikohet që të mbledhë rreth vetes dhjetë komuna në Kosovë ku shumica e popullsisë janë serbë, të cilat janë Mitrovicë e Veriut, Kllokot, Partesh, Ranillug, Graçanicë, Zveçan, Zubin Potok, Novobërdë, Leposaviq dhe Shtërpcë.

Asociacioni ka për qëllim të përfaqësojë interesat kolektive të atyre komunave, në veçanti në fushën e arsimit, shëndetësisë, planifikimit urban dhe rural si dhe të ekonomisë.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Shkolla e Mesme Ekonomike “Hasan Prishtina” në Mitrovicë sot është…