Mustafa: LDK-ja nuk ka shumë disponim për koalicione parazgjedhore

08 gusht 2019 | 13:34

Lideri i Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Isa Mustafa, ka pritur sot në takim ambasadorin e Italisë në Kosovë, Piero Sardi.

Me këtë rast, ambasadori Sardi e ka uruar kryetarin Mustafa për rizgjedhjen në krye të LDK-së duke thënë se Kuvendi Zgjedhor ishte një takim i rëndësishëm në udhëtimin demokratik të kësaj partie dhe vendit.

“Kryetari Mustafa e njoftoi ambasadorin Sardi për përgatitjet e LDK-së për zgjedhjet e përgjithshme në të cilat LDK-ja parapëlqen që të gjitha partitë të shkojnë të vetme. LDK-ja do të përcjellë veprimet e partive tjera dhe do të ndërmerr veprime në përputhje me rrethanat politike. LDK-ja nuk ka shumë disponim për koalicione parazgjedhore, por mbi të gjitha po punojmë t’i fitojmë zgjedhjet në mënyrë që partitë që sot janë në opozitë të formojnë qeverinë e re të Kosovës me një shumicë të qëndrueshme që u bën ballë temave të mëdha me të cilat po ballafaqohet vendi”, është thënë në komunikatën e LDK-së.

Në vazhdimin e kësaj komunikate është theksuar se në qeverinë e re LDK-ja do të përqendrohet në zhvillimin ekonomik, përkrahjen e sektorit privat, avancimin e arsimit dhe shëndetësisë, sundimit të rendit dhe ligjit, luftimin e korrupsionit si dhe integrimet euroatlantike me qëllim përmirësimin e cilësisë së jetës së qytetarëve të Kosovës.

/Epoka e re/

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Kryetari i komunës së Malishevës, Ragip Begaj, ka mbajtur të…