Mustafa: LV-ja duhet ta vlerësojë mirë ofertën e fundit të LDK-së

19 janar 2020 | 15:12

Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Isa Mustafa ka folur për arsyet e mosarritjes së koalicionit me Lëvizjen Vetëvendosje deri më tani.

Në një intervistë për RTV21, Mustafa ka thënë se nuk e ka pritur që do të zgjasin kaq shumë bisedimet me LV-në për formimin e Qeverisë.

Sipas tij tani koalicioni mund të arrihet me vullnetin e Vetëvendosjes. “LDK-ja ka vullnet edhe përkushtim që të arrihet koalicioni se kemi punuar gjatë për këtë. Kemi kryer një fazë shumë të rëndësishme të punës në harmonizimin e programit qeverisës, në përcaktimin e fushave që do të qeverisin LDK-ja e Vetëvendosje dhe subjektet që i përkasin minoriteteve. Kanë mbetur disa gjëra që unë si kryetar i LDK-së kam qenë i bindur se do të zgjidhen dhe do të pajtoheshim në takimin e parë ose të dytë, dhe në asnjë rast nuk kam pritur që do të shkohet kaq gjatë, por vlerësoj se mund të arrihet kjo me vullnetin e partisë që ka dalë e para”, ka thënë Mustafa.

Kreu i LDK-së, Mustafa ka theksuar se LV-ja duhet ta vlerësojë mirë ofertën e fundit të LDK-së për koalicion pasi sipas tij, kjo ofertë është e balancuar.

“LV-ja duhet të masë e vlerësojë mirë ofertën që ne kemi dhënë sepse është një ofertë shumë e balancuar që siguron që dy subjektet të kenë participim në organet më të larta përfaqësuese dhe organet qeverisëse të vendit e cila në asnjë rast nuk e dëmton as njërën palë, por e shton mirëbesimin dhe mundëson që të arrijmë synimet tona. Nëse s’bëhet kjo atëherë do të jetë e pasigurt se si do të funksionojë ky koalicion edhe po të ndodhte koalicioni. Prandaj, presim që kjo të vlerësohet mirë, të matet mirë dhe të kemi përgjigje nga Vetëvendosje që mundëson që ne ta bëjmë koalicionin shumë shpejtë”, është shprehur Mustafa.

I pyetur se a ka trysni nga faktori ndërkombëtar që LDK-ja dhe LV-ja të formojnë qeverinë, Mustafa ka pohuar se faktori ndërkombëtar është më shumë i interesuar që Kosova të ketë Qeveri.

“Unë nuk mund të flas për trysni, ka interesim nga faktori ndërkombëtar që të bëhet Qeveria e Kosovës. Nuk është në faktorët ndërkombëtarë që ajo të thotë se kush me kënd ta bëjë qeverinë, por janë të interesuar siç jemi të interesuar edhe ne. Unë mund të them se ne si LDK ndoshta dhjetë herë më shumë jemi të interesuar të bëhet qeveria se sa që mund të jetë i interesuar faktori ndërkombëtar, sepse ata nuk janë këtu për të bërë qeveri, por janë të interesuar që Kosova të ketë qeveri”, ka deklaruar kryetari i LDK-së Isa Mustafa.

I pari i LDK-së, Isa Mustafa, ka thënë se takimi mes tij dhe Albin Kurtit varet nga Vetëvendosje se sa është e gatshme për të bërë marrëveshjen.

Nëse kjo marrëveshje nuk arrihet, Mustafa ka thënë se Vetëvendosje duhet të bëjë zgjidhje tjetër për formimin e qeverisë.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Pavarësisht formës së shkëlqyer të Harden dhe Westbrook, që shënuan…