Mustafa: PDK-së i duhet një rirreshtim i mirëfilltë i vlerave brenda saj

21 shkurt 2021 | 15:33

Kryetari i Degës i Partisë Demokratike të Kosovës (PDK) në Gjilan, Qemajl Mustafa, ka bërë me dije se kjo parti duhet të reflektojë karshi rezultatit të zgjedhjeve të 14 shkurtit.

I pyetur se çfarë duhet të ndryshojë kjo parti për t’u rikthyer në zgjedhjet e ardhshme, Mustafa, ka thënë se i duhet një rirreshtim i mirëfilltë i vlerave brenda saj.

“Përgjigjen në këtë pyetje do ta japin rekomandimet pasi që të jetë analizuar mirë ky rezultat dhe kontekstit historik e zgjedhor i Kosovës dhe i PDK-së. Megjithatë, unë jam i prirë ta them atë që unë e mendoj. PDK-së i duhet një rirreshtim i mirëfilltë i vlerave brenda saj, që nga nëndegët e deri te kryesia në qendër. Neve na janë ngatërruar meritat shumëvjeçare të atyre që e nderuan partinë me shumë votë dhe me fitore brilante në fshatrat, në qytetet e në komunat e tyre, me vlerat civile të profesionistëve që tërë jetën u kanë bërë shërbim karrierave të tyre personale dhe nëpër procese zgjedhore janë katapultuar hiç më pak se në majë të partisë duke i goditur dhe margjinalizuar rëndë ata të parët”.

“Këtë veprim PDK-ja e ka bërë keq nëpër disa procese zgjedhore. Natyrisht që jam plotësisht për ardhjet e reja në parti e sidomos për profesionistët e spikatur, por vetëm me ‘teknologji’ dhe në rrugë tjetër e jo kështu qysh ka ndodhur. PDK-ja për kohë të gjatë është udhëhequr nga njerëzit që kurrë nuk i kanë fituar komunat e tyre. Dikush tjetër mblidhte dhe i bënte fitoret e dikush tjetër qeveriste dhe kishte pushtet të pakufishëm rreth liderit. Disa nga ne aktivistët e mirë të saj kemi qenë të privuar nga e drejta për të përparuar në karrierë politike dhe brenda strukturës kemi mbetur ‘xhuxhë’ përkundër rezultateve të shumta të mira që i kishim”, ka thënë Mustafa në një intervistë për “Epokën e re”.

PDK-ja duhet të reflektojë karshi rezultatit të zgjedhjeve

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Edhe lideri i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti, ka uruar Florian…