Mustafa zbulon bisedën me Haradinajn për largimin e dy ministrave të AAK-së

07 shtator 2020 | 13:29

Lideri i LDK-së, Isa Mustafa ka zbuluar detaje të bisedës që ka pasur më 4 shtator, ditën kur është nënshkruar marrëveshja në Uashington, me liderin e AAK-së, Ramush Haradinaj.

Mustafa ka thënë se Haradinaj e ka njoftuar se dy ministrat e tij japin dorëheqje, për shkak të mospajtimit që ai kishte për përfshirjen e Ujmanit në marrëveshje.

“Me z. Haradinaj kemi  komunikuar me telefon dhe me mesazhe me dt 3 shtator, jemi takuar dhe kemi pirë kafe me dt 4 shtator në ora 10 paradite. E kam informuar se teksti për Ujmanin, ashtu siç më është prezantuar nga z. Hoti, flet për studim të fizibilitetit dhe marrëveshja si e tillë nuk nënshkruhet në një dokument me palën  serbe, prandaj se nuk ka vend të shqetësohemi. Kemi  vazhduar të komunikojmë edhe pasdite, me kohen tone lokale.  Në bisedë me mua, z. Haradinaj ka shprehur kërkesën  që teksti (ky që është nënshkruar e jo ndonjë tekst tjetër) të mos nënshkruhet si marrëveshje me Serbinë por vetëm me SHBA-të, ose që në marrëveshje të mos përmendet Ujmani, por vetëm fizibiliteti për ujërat”, ka shkruar Mustafa në profilin e tij në “Facebook”.

Me tej, i pari i LDK-së ka thënë se pasi e ka informuar Haradinajn se amerikanët nuk pajtohen me ndryshimin e marrëveshjes, lideri i AAK-së e ka njoftuar për dorëheqjen e dy ministrave të AAK-së. “Jam informuar nga Kryeministri, pasi ia kam prezantuar këto shqetësime, se pala amerikane nuk pajtohet të bëhen ndryshime të marrëveshjes dhe se mbetet ose të nënshkruhet marrëveshja ashtu siç është dakorduar ditën e 3 shtatorit ose të mos nënshkruhet. Unë jam informuar  nga z. Haradinaj më 4 shtator për dorëheqjen e dy ministrave të AAK-së, ( në ora 15:19 min) iu kam përgjigjur se z. Hoti po komunikon me ndërmjetësuesit amerikan por se edhe unë edhe ai (Haradinaj) kemi kërkuar involvim të fuqishëm të SHBA-së, prandaj kur është fjala me këtë partner, ne mund të kërkojmë mirëkuptim por është vështirë të kundërshtojmë, sidoqoftë është mirë të ruajmë këtë partneritet mes veti dhe me SHBA-të”, ka shkruar Mustafa.

 

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Trajneri i njohur i gjimnastikës, Shkumbin Maqastena ka thënë se…