Mustafa: ZPS-ja nuk është as një për qind afër realitetit që ka ndodhur gjatë vitit 1999

27 tetor 2023 | 15:25

Në seancën e sotme të Apelit, gjatë deklarimit të tij, Salih Mustafa, i dënuar me 26 vjet burgim nga Gjykata Speciale për krime lufte – ka thënë se ndjehet i pafajshëm për veprat për të cilat është dënuar.

Në deklarimin e tij, Mustafa tha se ndihet moralisht dhe praktikisht i pafajshëm edhe pse juridikisht gjykata e ka shpallur të fajshëm.

“Unë kisha me thënë që edhe praktikisht edhe moralisht nihna i pafajshëm edhe pse juridikisht gjykata me ka shpallë të fajshëm, për shkak se jam i bindur që absolutisht asnjë vepër për ato çka m’i ka ngarku prokuroria që tri vite nuk i kam konsumuar”, tha Mustafa.

Ai tha se është i sigurt që Zyra e Prokurorit të Specializuar e din saktë që nuk është ashtu dhe se realiteti se si ka ndodhur gjatë viteve 1999 është ndryshe.

“Unë jam shumë i sigurt që prokuroria i ka të gjitha provat edhe e din saktë që nuk është ashtu dhe nuk është afër as edhe një për qind të atij realiteti që ka ndodhë gjatë vitit 1999”, tha Mustafa.

Ai u shpreh i bindur se prokuroria me dashje i ka vendosur të gjitha argumentet me “kokë poshtë”.

“Unë jam i bindur që prokuroria me dashje të gjitha argumentet i ka vendos me kokë teposhtë duke mos i pa prej deklaratave fillestare të vetë dëshmitarëve të prokurorisë e deri tek marrja e vendimit të trupit gjykues”, tha Mustafa.

Tutje, Mustafa tha se beson në drejtësi.

“Prandaj nuk kam diçka tjetër. Kam besim në ju. Unë jam shumë i sigurt që moralisht dhe praktikisht jam i pafajshëm.

Në parashtrimet e saj shtesë, mbrojtja e Salih Mustafës përmes avokatit Julius Von Bone tha se dokumenti i cili ishte paraqitur nga Zyra e Prokurorit të Specializuar e që mbante një listë të të burgosurve nuk vlen asgjë në këtë çështje.

Von Bone tha se ky dokument nuk tregon se ku janë mbajtur njerëzit e ndaluar.

“Prokuroria tregoi një dokument, një listë të burgosurish e pamë atë dhe ky dokument në fakt çka do që të jetë vlera e tij, nuk vlen asgjë. Nuk vlen asgjë në këtë çështje se ky dokument nuk tregon fare se ku janë mbajtur njerëzit e ndaluar dhe për më tepër nuk tregon asgjë lidhur me lirimin e ndonjë nga personat e renditur në atë listë apo që është i rëndësishëm në këtë çështje”, tha Von Bone.

Avokati Von Bone tha se lidhja e Salih Mustafës me këtë dokument nuk është vërtetuar kurrë.

“Ky dokument ishte pjesë e një parashtrimi, në dosje, në atë dosje në faqe tjera ka pasur disa poshtëshënime dhe në atë poshtëshënim shihej i shkruar emri i një personi që quhej Cali. Tani ajo që ka ndodhur është se Prokuroria vuri bashkë ato dokumente edhe tha e shihni ky është përgjegjës, ky është i lidhur me këtë dokument. Në fakt një lidhje e tillë nuk është vërtetuar asnjëherë në asnjë moment, as nga ZPS-ja dhe as trupi gjykues në aktgjykimin e tij”, tha Von Bone.

Mbrojtja e Mustafës tha se shembujt që dha ZPS lidhur me çështjen e shkakësisë janë supozime që janë bërë në të njëjtën mënyrë nga trupi gjykues. Von Bone theksoi se për pohimet që janë bërë në këtë aspekt nuk ka asnjë provë.

“ZPS bën parashtrime lidhur me çështjen e shkakësisë duke paraqitur jurisprudencë të gjerë lidhur me këtë çështje. megjithatë, shembujt që dha ZPS lidhur me këtë çështje janë prezumime, supozime që janë bërë edhe në të njëjtën mënyrë nga trupi gjykues. Shembull se viktima mund të ketë qenë në ruajtjen e Salih Mustafës është supozim. Nëse ka pasur kontakt në mes Salih Mustafës dhe viktimës, edhe këtu është supozim që ai pra, personi i ndaluar është lënë apo braktisur në prag të vdekjes apo për të vdekur. Për të bërë një pohim të tillë nuk ka asnjë provë në dosjen e lëndës është thjeshtë supozim”, tha Von Bone.

Zyra e Prokurorit të Specializuar gjatë prezantimit të parashtrimeve të veta ka thënë se dënimi prej 26 viteve ndaj Salih Mustafës është proporcional dhe i denjë.

“Dënimi me 26 vjet burgim i denjë dhe proporcional. Proporcionaliteti në këtë kontekst para së gjithash ka të bëjë me lidhjen apo raportin midis peshës penale dhe përgjegjësisë së Z. Mustafa për këto. Trupi gjykues e bëri këtë vlerësimin me kujdesin më të madh në këtë çështje gjyqësore duke nxjerrë një numër konstatimesh të rëndësishme”, ka thënë prokurorja Claire Lawson.

Ndërsa, lidhur me parashtrimet e mbrojtjes, ajo tha se mbrojtja ka bërë deklarata të thata me atë se për të njëjtin lloj krimi nuk ekziston dënim me burg kaq i gjatë në tribunalet ndërkombëtare.

“Mbrojtja ka bërë deklaratë të thatë që për të njëjtin lloj krimi nuk ekziston dënim me burgim kaq të gjatë në tribunalët ndërkombëtar. Ka disa arsye që kjo nuk demonstron ndonjë gabim në dënimin e dhënë, parasë gjithash trupi gjykues ka kompetencë të gjerë diskrecionale në përcaktimin e dënimit të duhur duke marrë parasysh rrethanat personale të të akuzuarit dhe peshën e krimit si dhe faktorët rëndues dhe lehtësues që do të thotë një dënim mund të jetë i konsiderueshëm edhe kur lidhet me të njëjtin lloj krimi”, ka deklaruar Lawson./ betimipërdrejtësi

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Shefja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, do të…