Myftiu Tërnava takohet me mbretin e Arabisë Saudite, merr mbështetje për Kosovën

19 nëntor 2019 | 14:07

Kryetari i Bashkësisë Islame të Kosovës (BIK), myftiu Naim ef. Tërnava është pritur në takim nga Shërbëtori i Dy Xhamive të Shenjta, Mbreti Salman bin Abdulaziz Al Saud.

Mbreti Selman i dëshiroi mirëseardhje delegacionit nga Kosova, duke theksuar përkushtimin e Arabisë Saudite për të ofruar mirëqenie për të gjithë popujt e botës.

Ai ka falënderuar myftiun Tërnava dhe popullin e Kosovës për qëndrimet pozitive dhe përkrahëse ndaj Arabisë Saudite, duke theksuar se në Arabinë Saudite gjenden dy vendet e shenjta dhe gjithashtu Kibla (drejtimi nga falen) e myslimanëve, andaj sipas tij “është nder dhe obligim yni të kujdesemi për të gjithë myslimanët në botë”.

Më tutje, mbreti Selman ka theksuar përkushtimin e tij personal dhe të qeverisë së tij për të punuar për përhapjen e tolerancës dhe për luftimin e ekstremizmit të dhunshëm dhe radikalizmit.

Ai ka shprehur gatishmërinë e qeverisë së tij për thellimin e bashkëpunimit mes dy vendeve për të mirën e dy popujve.

Ndërsa myftiu Naim Tërnava, ka falënderuar mbretin e Arabisë Saudite për mikpritjen dhe për rastin për t’u takuar, duke theksuar se populli i Kosovës e falënderon Arabinë Saudite për përkrahjen e ofruar Kosovës në fusha të ndryshme në kohët më të vështira.

Gjithashtu, Tërnava ka falënderuar mbretin saudit për mbështetjen e Kosovës në arenën ndërkombëtare.

Në këtë takim kanë marrë pjesë Princi Faisal bin Farhan bin Abdullah, ministri i Punëve të Jashtme, ai i Çështjeve Islame dr. Abdul-Latif bin Abdul Aziz Al-Sheikh, dhe ndihmëssekretari i Kujdestarit të Dy Xhamive të Shenjta, Tamim bin Abdul Aziz Al-Salem, ndërsa në shoqërim të myftiut Tërnava kanë qenë shefi i Kabinetit, Besim Mehmeti dhe Tansel Rogova.

/Epoka e re/

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Thiago Silva ka rrëfyer për “Le Parisien” prapaskenat e transferimit…