MZHR dhe MAPL nënshkruajnë nismën për themelimin e shtatë Qendrave për Zhvillim Rajonal në Kosovë
Ministria e Zhvillimit Rajonal (MZHR) dhe Ministria e Administrimit të Pushtetit Lokal (MAPL) kanë nënshkruar të enjten nismën për themelimin e Qendrave për Zhvillim Rajonal në shtatë rajonet zhvillimore të Kosovës.
Marrëveshja është nënshkruar nga ministri në detyrë i MZHR-së, Rasim Demiri, dhe ministri në detyrë i MAPL-së, Elbert Krasniqi, më 25 qershor 2026, dhe synon forcimin e bashkëpunimit ndërkomunal si dhe zhvillimin e balancuar rajonal në vend.
Sipas njoftimit, kjo nismë ka për qëllim rritjen e efikasitetit të investimeve publike dhe koordinimin më të mirë të politikave zhvillimore në nivel rajonal.
“Qendrat për Zhvillim Rajonal do të shërbejnë si mekanizma për koordinimin e politikave zhvillimore, identifikimin e prioriteteve rajonale dhe promovimin e investimeve që ndikojnë drejtpërdrejt në përmirësimin e cilësisë së jetesës së qytetarëve”, thuhet në njoftim.
Përmes këtyre qendrave synohet krijimi i një mjedisi më të favorshëm për zhvillim ekonomik, rritje të bashkëpunimit institucional dhe shfrytëzim më efikas të potencialeve rajonale.
Nga institucionet përkatëse është theksuar se kjo nismë përbën një hap të rëndësishëm drejt zhvillimit të qëndrueshëm rajonal dhe përmirësimit të mirëqenies së qytetarëve në të gjitha komunat e vendit.
Sipas tyre, Qendrat për Zhvillim Rajonal do të mundësojnë koordinim më të mirë ndërmjet nivelit lokal dhe atij qendror, me fokus në zhvillimin socio-ekonomik të rajoneve të Kosovës.



