Nafta 1.82 euro, Berjani: Kosova me çmimet më të lira në rajon
Kryetari i Shoqatës së Naftarëve të Kosovës, Fadil Berjani, ka bërë një pasqyrim të gjendjes aktuale në tregun e derivateve, ku sipas tij Kosova vazhdon të ketë çmime më të lira se vendet fqinje.
Në një prononcim për Insajderin, Berjani ka kujtuar se periudha më kritike për çmimet ishte fillimi i luftës në Ukrainë, ndërsa aktualisht situata paraqitet më e stabilizuar për xhepin e qytetarëve tanë.
“Qytetarët tanë po shërbehen me çmimet më të lira në rajon,” u shpreh Berjani, duke shtuar se parashikimi për ditët në vijim është i vështirë për shkak të lëvizjeve të paparashikueshme në bursa.
Sipas Berjanit, çmimet me pakicë që po aplikohen sot nëpër pikat e karburantit janë: Dizelli: Nga 1.74 euro deri në 1.82 euro ndërsa benzina: Nga 1.40 euro deri në 1.44 euro
Ai bëri të ditur se çmimi furnizues me shumicë gjatë ditës së premte ka qenë 1.74 euro.
I pyetur se kur mund të pritet një rënie më e ndjeshme e çmimeve, kreu i naftarëve vuri theksin te situata gjeopolitike.
Sipas tij, stabilizimi i plotë dhe ulja e çmimeve varet direkt nga ndërprerja e tensioneve dhe konflikteve në Lindjen e Mesme, të cilat po mbajnë nën presion tregjet ndërkombëtare.
“Nuk mund të paragjykoj se çfarë çmimesh do të kemi në ditët në vijim, pasi ka lëvizje të mëdha në bursa dhe në tregjet ndërkombëtare,” tha ai.



