Naftëtarët mblidhen të martën, diskutojnë për udhëzimin e Qeverisën për çmimet e naftës

25 qershor 2022 | 20:12

Naftëtarët pritet të mbajnë mbledhje këtë të martë, për të shqyrtuar Udhëzimin Administrativ të publikuar një ditë më parë nga Qeveria e Kosovës lidhur me rregullimin e çmimeve të naftës.

Kështu ka bërë të ditur për Telegrafin, kryetari i Shoqatës së Naftëtarëve të Kosovës, Fadil Berjani, pasi është pyetur për të komentuar këtë vendim të ekzekutivit.

“Ende nuk kemi mbajtur takim si shoqatë e naftëtarëve për të paraqitur qëndrimin karshi Udhëzimit Administrativ të Qeverisë për caktimin e marzhës shitëse të derivateve. Takimi do të mbahet të martën”, deklaroi Berjani.

Siç njoftoi Qeveria të premten, Udhëzimi Administrativ në fjalë zbatohet vetëm ndaj karburanteve të përdorshme në transport.

Në nenin 4 të këtij Udhëzimi, thuhet se mund të rregullohen çmimet duke caktuar marzhën tregtare maksimale të lejuar: dy eurocentë për litër të produktit të shitur me shumicë dhe dymbëdhjetë eurocentë për litër të produktit të shitur me pakicë.

Rritja e çmimeve të naftës dhe benzinës në Kosovë ka shënuar nivelin më të lartë në 20 vjetët e fundit, sipas Shoqatës së Naftëtarëve.

Për shkak të lëvizjes së shpeshtë të çmimeve, ka pasur dyshime se naftëtarët po i kurdisin çmimet.

Kurdisja e çmimeve ose marrëveshja për nivelizimin e çmimeve, është e ndaluar me Ligjin për mbrojtjen e konkurrencës në Kosovë.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Moska do t’i dorëzojë Bjellorusisë raketa të afta për të…