Nagavci: 82 deputetë u rreshtuan krah planeve të Thaçit

30 mars 2020 | 11:32

Nënkryetarja e Kuvendit të Kosovës, Arbërie Nagavci, ka thënë se deputetët që e votuan mocionin e mosbesimit ndaj qeverisë së udhëhequr nga Albin Kurti u rreshtuan edhe një herë në krah të presidentit Hashim Thaçi. Ajo ka thënë se 82 votat që e rrëzuan qeverinë u bënë bashkë për ta penguar luftën ndaj krimit e korrupsionit, për t’u hapur rrugë planeve e skenarëve të Thaçit.

“Pra, mos i jepni numrit legjitimitetin që nuk e ka sepse, së paku, 24 deputetët e LDK-së kanë premtuar se do të qeverisin me LV-në për të luftuar krimin e korrupsionin dhe se partitë e PAN-it do t’i dërgojnë në opozitë. Ndërkaq tani hapur po shprehet dëshira e LDK-së për të qeverisur me ish-partitë e PAN-it, të varur krejtësisht nga Lista Serbe, kurse deklaratat që PDK-ja do të jetë në opozitë, në fakt janë vetëm një tentim për të pastruar këtë parti, duke i pasur në dispozicion votat e njëra-tjetrës çdoherë kur e kanë të nevojshme. Forca e numrave nuk justifikon veprimet pa parime, mashtrimet ndaj elektoratit e as propaganda koti si kjo kundëramerikanizmit”, ka shkruar ajo.

Ajo më tutje ka shtuar se ata i lanë vetëm qytetarët në ditët më të vështira për njerëzimin. “Jeni lehtësisht të lexueshëm, në krahë të Thaçit, në shkelje të premtimeve zgjedhore dhe programit që keni votuar vetë, duke tentuar të lini vetëm qytetarët në ditët më të vështira për njerëzimin. Sa për korrektësi, këto janë votat për: 24 deputetë të LDK + 24 deputetë të PDK + 13 deputetë të AAK + 10 deputetë të Lista Serpska + 5 deputetë Nisma & AKR + 3 Grupi 6+ (këtu kemi deklarime të dy deputetëve se nuk kanë marrë pjesë në votim) + 3 deputetë të pakicave, pa grup parlamentar. Kundër 29 deputetë të LV-së + 3 deputetë të LDK-së, 1 deputet nga 6 + abstenim dhe 2 deputete nga 6 + nuk kanë marrë pjesë në votim”, ka shkruar Nagavci.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Dy sindikata, ajo e Shërbimit Civil të Kosovës si dhe…