Nagavci, SBAShK-ut: As mua e as qeverinë s’mund të na shantazhojë askush

11 janar 2022 | 08:12

Ministrja e Arsimit, Arbërie Nagavci, duke folur për raportin me sindikatat ka thënë se i shohin si partner me të cilin duhet të punojnë për të përmirësuar kushtet për mësimdhënësit ashtu si edhe rezultatet në përgjithësi.

“Tani sindikatat janë më të zëshme për pagat e mësimdhënësve dhe natyrisht se ky është edhe një preokupim i joni dhe duhet të kujdesemi që të kemi një trajtim korrekt, të barabartë dhe parimor për të gjithë punëtorët që janë të përfshirë në sistemin e arsimit duke u kujdesur që të respektohet parimi bazë për punë të njëjtë pagë të njëjtë. Edhe udhëzimi administrativ për licensimin e mësimdhënësve i cili asnjëherë nuk është përfillur në tërësi edhe ky për vlerësimin e performanës së mësimdhënësve bashkë me Ligjin për Pagat dhe një varg politikash të tjera duhet të dërgojë drejt një pike ku rriten kompetencat e mësimdhënësve, ku iu ofrohet mbështetje për punën e tyre dhe edhe ku shpërblehen për punën që e bëjnë”.

“Sindikatat, në përgjithësi, i shohim si palë me të cilët duhet të punojmë për të përmirësuar kushtet e punës së mësimdhënësve por edhe për të pasë rezultate më të mira. Nuk po i referohem individëve të caktuar, por si organizatë sindikale natyrisht se në rolin që duhet të luajnë duhet të kenë për bazë disa qëllime përfshirë përmirësimin e kushteve për punë që janë po aq të rëndësishme sa pagat por natyrisht edhe për përmirësimin  e rezultateve në përgjithësi”.

Nagavci, në Klan Kosova, ka treguar nëse ndjehet në presion nga ultimatumi i SBASHK-ut për grevë nëse deri në muajin mars nuk hartohet Ligji i ri për Paga.

“Jo, asnjëherë. Personalisht as nuk kam ndjerë ndonjë presion, sepse e kam thënë që në intervistën time të parë si ministre se as mua si ministre dhe as Qeverinë Kurti nuk mund të  na shantazhojë askush. Ne i kemi të qarta synimet dhe qëllimet tona në përmirësimin e rezultateve në të nxënit, derisa mësimdhënësit dhe menaxhmenti i shkollave janë partnerë tanë tepër të rëndësishëm”.

“Meqë edhe vet vij nga fusha e mësimdhënies ku kam punuar gjatë jam shumë e vetëdijshme për vëmendjen, interesimin dhe vullnetin e mësimdhënësve për të dhënë më të mirën të mundshme. Shumë herë debatet dhe diskutimet që janë hapur kanë qenë të paqena dhe janë krijuar shumë shpesh tituj që nuk e kanë paraqitur realitetin, sepse nga dita ime e parë e punës bashkë me kabinetin, zyrtarët e ministrisë dhe qeverinë kemi synim që të punojmë maksimalisht për të arritur më të mirën e mundshme. Asnjë presion apo shantazh nuk do të na pengojë që të arrijmë qëllimet tona”, tha Nagavci.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Inflacioni në 19 shtetet që përdorin monedhën euro shënoi nivelin…