
Napoli në garë për De Bruynen
08 maj 2025
| 12:22
Napoli është në ethet e festës së titullit kampion, drejtuesit e klubit po planifikojnë me kujdes të ardhmen dhe kanë nisur të ëndërrojnë një goditje të madhe në merkato: Kevin De Bruyne. Sipas raportimeve nga “Sky Sport”, klubi napolitan ka nisur kontakte konkrete për mesfushorin belg të Manchester Cityt, i cili do të jetë lojtar i lirë në fund të sezonit.
De Bruyne, i lindur në vitin 1991, ka kaluar një dekadë të artë në Manchester, ku ka regjistruar 418 paraqitje, 108 gola dhe 177 asistime.
Megjithëse ka oferta tërheqëse nga Arabia Saudite, belgu preferon të qëndrojë në Evropë dhe Napoli është ndër klubet që po e ndjekin me më shumë interes. Në garë për të është edhe Liverpooli, kampion i ri i Anglisë.