Narkoza e vizave – mit apo realitet (4)

25 dhjetor 12:23

Shkruan: Agron Hoti

Takati jonë

Pavarësisht prej vështirësive të brendshme dhe të jashtme, Kosova brenda dhjetë vjetëve si shtet ka arritur të krijojë institucione solide, të krahasueshme me rajonin, sa çdo ditë e më shumë është duke hyrë në marrëdhënie biletarale e multilaterale me shtete dhe organizata të ndryshme si dhe duke u anëtarësuar në mekanizma ndërkombëtarë të profileve të ndryshme me karakter rajonal dhe global.

Vlen të theksohet që Kosova prej vitit 2009 e deri në këtë vit ka hyrë në mbi 330 marrëveshje ndërkombëtare të të gjitha llojeve. Dhe kjo, përpos që e obligon Kosovën t’u përmbahet këtyre marrëveshjeve, tregon edhe besimin që shtete dhe mekanizma të ndryshëm ndërkombëtarë kanë në institucionet e Kosovës. Vetëm për vitin 2019 e 2020 Kosova do të marrë mbi 200 milionë euro nga BE-ja, diçka që tregon besim dhe përkushtim të përbashkët drejt rendditës evropiane. Përpjekjet për anëtarësim në Interpol, UNESCO, shkojnë në këtë drejtim edhe pse kjo nuk varet tërësisht nga Kosova, kur dihet se çfarë obstruksionesh bën Serbia e Rusia për ta penguar hapur Kosovën në këtë drejtim.

Vetë fakti se Kosova ka arritur të nënshkruajë me BE-në Marrëveshjen e Stabilizim Asociimit (MSA) dhe që çdo vit nënshkruan marrëveshje financiare me BE-në, me institucione financiare ndërkombëtare dhe me partnerë strategjikë bilateralë dhe multilateralë, tregon shumë për besimin që këto shtete dhe mekanizma zyrtarisht shprehin ndaj institucioneve të Kosovës.

Përmirësimi dhe investimet e mëdha në infrastrukturë tejkalojnë çdo pritje të një shteti dhjetëvjeçar, aspekt ky që shteteve u ka marrë mbi 100 vjet. Pra, ka aq shumë arritje në infrastrukturë për këta 10 vjet shtet sa askush nuk do ta besonte. Sektori financiar në Kosovë është më stabili në rajon dhe për këtë s’do koment.

Sigurisht se ka shumë punë për t’u bërë në vitet që vijnë, por sfidat e vështirësitë shtetërore janë përditshmëri edhe për shtetet më të fuqishme të botës. Pra, s’do mend se procesi i liberalizimit të vizave për qytetarët e Kosovës ka kaluar në një dramë maratonike, për të cilën flet i madh e i vogël. Ndërkohë që subjektet politike në Kosovë, për efekte të pastra elektorale, vjellin vrer duke kritikuar institucionet e Kosovës për mosliberalizim të vizave, edhe pse janë plotësisht të vetëdijshme se si ecet në këtë proces dhe kush e ka timonin.

E qytetari i Kosovës së sotme është shumë më kërkues se ç’ishte dje. Falë qarkullimit të shpejtë të informacionit si rezultat i teknologjisë informative. Duke pasur qasje në zhvillimet globale, duke e parë botën së paku përmes realitetit virtual, pritjet e qytetarëve të Kosovës tejkalojnë çdo mundësi të qeverive të sotme dhe të nesërme. Sigurisht se ngathtësia e shtetit të Kosovës në situata të caktuara nuk është për t’u nënvlerësuar. Derisa dje ishim të izoluar, sot shohim botën dhe pritjet do të jenë gjithnjë e më të mëdha.

Prandaj, pritjet e qytetarëve janë sfidë për çdo qeveri në botë sado i fortë të jetë ai shtet. Rasti më tipik janë zgjedhjet në Bavari të Gjermanisë. Bavaria është pa dyshim vendi më i zhvilluar në Evropë, me papunësi pothuaj zero, me standardin më të lartë jetësor në Evropë e, ndoshta, edhe në botë, ndërkohë që, pavarësisht prej qeverisjes së vazhdueshme të CSU-së, kjo parti bashkë me CDU dhe SPD pësuan fiasko para partive populliste. Nuk duhet lënë anash rezultatin mbresëlënës që kanë arritur edhe të Gjelbrit. Ky grupim politik nuk definohet në taborin e partive populliste, por si mbrojtës i vlerave liberale, prandaj kjo revoltë ndaj establishmentit tradicional në rrethana të caktuara ka prodhuar edhe afirmim të vlerave liberale.

Pra, nëse lidershipi bavarez me një ekonomi të tejzhvilluar nuk ka arritur t’i bindë qytetarët që të votojnë prapë për ta, ose shumica e tyre, atëherë mund ta paramendojmë se çfarë do të ngjajë në vende me ekonomi të pazhvilluara siç janë Kosova dhe Ballkani, qeveritë e të cilave, ende pa filluar mandatin, do të përballen me kërkesa për zgjedhje të parakohshme, diçka të cilën veç jemi duke e përjetuar në Kosovë dhe rajon pothuajse rregullisht.

Rasti tjetër është rënia e rejtingut të kancelares gjermane Angela Merkel si rezultat i krizës së refugjatëve sirianë, rejtingu i së cilës u dëmtua shumë, edhe pse ekonomia e saj është më e forta në Evropë dhe ndër më të zhvilluarat në botë. Kjo tregon se sa e vështirë është duke u bërë vendim-marrja nëpër shtete të ndryshme edhe kur ato duhet të vendosin në të mirë të ekonomisë së tyre, në këtë rast nevoja për fuqi punëtore në Gjermani është evidente dhe natyrisht se kjo zbrazëti nuk do t’i mbushet me punëtorë nga vendet e BE-së, por sigurisht nga vende joevropiane, e sfida fillon pikërisht këtu.

Edhe shembulli i Japonisë tregon për vështirësitë e drejtimit të vendit. Ky vend është duke u përballur me rënie të lirë demografike, plakje të popullsisë, ridimensionim social, mbi 50 % e fëmijëve të lindur në Japoni pritet të jetojnë mbi 100 vjet, jogatishmëria e popullsisë japoneze për të pranuar fuqi punëtore të huaj etj. Për këtë arsye, qeveria japoneze, për t’i përballuar këto vështirësi, është duke shikuar mundësitë e rritjes së robotikës nëpër vende të punës, pranimin e fuqisë punëtore nga jashtë dhe shtyrjen e kohës së pensionimit mbi 70 vjeç. Të gjithë këta hapa janë duke u bërë me qëllim të mbajtjes gjallë të ekonomisë japoneze, edhe pse asnjë prej tyre nuk do të jetë e lehtë të zbatohet në praktikë.

Pra, shembujt e mësipërm tregojnë se pritjet e mëdha në njërën anë dhe mundësitë e kufizuara në anën tjetër do të bëjnë që rejtingu i çdo politikani të njohë vetëm rënie sapo ta marrë postin. Fakti që kryetarit të Francës, të ShBA-së, Britanisë së Madhe etj. fillon t’u bjerë rejtingu qysh prej ditës së parë sapo marrin postin, tregon se sa e vështirë është bërë mbajtja gjallë e lidershipit para qytetarëve. Dhe kur lidershipi po u bie shumë shpejt edhe udhëheqësve të vendeve të forta, atëherë atyre të vendeve me zhvillim të ulët ekonomik siç është Kosova do t’u bjerë me rënie të lirë.

Kritikët

Kosova prej pasluftës e deri më sot asnjëherë nuk ka pasur opozitë të mirëfilltë. Vazhdimisht për hir të stabilitetit të vendit është dashur që forcat politike pa marrë parasysh orientimet partiake të votonin pako ligjesh, planesh e marrëveshjes ndërkombëtare pa bërë ndonjë analizë të mirëfilltë. Sigurisht që kjo e ka penguar zhvillimin e demokracisë, pasi demokracia si e tillë duhet të lind, sepse nëse imponohet, nuk e ka efektin natyral që ishte dashur ta ketë. Çështja e statusit të Kosovës ka humbur vazhdimisht relevancën e partive opozitare dhe kjo ka penguar vazhdimisht zhvillimin e demokracisë në vend.

Qeverisje të përbashkëta, grupe uniteti, kalimi i pakove ligjore, planeve e marrëveshjeve për hir të statusit dhe stabilitetit, dialogimi i pafund me Serbinë, vazhdimisht e kanë zbehur rolin e opozitës si një nga degat kryesore të zhvillimit të demokracisë. Dhe duke qenë vazhdimisht kështu, forcat politike, si opozitare ashtu dhe të pozitës, janë bashkëbartëse të të gjitha proceseve që kanë ndodhur deri më tani, kush më pak e kush më shumë dhe se çdo kritikë ndaj dikujt pikë së pari duhet nisur nga vetvetja.

Një pjesë e opozitës kritikon procesin, pjesë e të cilit ka qenë në të gjitha fazat e tij, ndërsa një pjesë tjetër e opozitës, e dalë nga fryma e një popullizmi shterp në rritje, jo vetëm në Kosovë, por gjithandej Evropës dhe e zhytur thellë në ideologji majtiste, mundohet të përfitojë nga ky momentum duke dalë në, kinse, ‘mbrojtje’ të Republikës. Ndërkohë që, në anën tjetër, është vetë ky subjekt majtist që nuk ka votuar në favor të MSA-së në Kuvendin e Kosovës. E Kosova vetëm një herë e ka votuar MSA-në, pra nuk do ta votojë prapë, siç mund ta ketë menduar dikush, kurse tash e tutje në rend-dite do të jenë hapa të tjerë të integrimit evropian.

Pra, për çfarë integrimi evropian na flet ky subjekt majtist, kur haptazi pat dalë kundër këtij procesi, pas të cilit sot thirret se e do. Ky subjekt majtist vazhdimisht ka qenë kundër çdo iniciative perëndimore në Kosovë, ka sfiduar dhe sfidon çdo propozim progresist dhe mbështetje perëndimore si, p. sh., ka kundërshtuar dhe kundërshton edhe sot pavarësinë e Kosovës etj.

Një subjekt politik që nuk e njeh shtetin dhe simbolet e tij, me çfarë të drejte flet për regres në procesin e integrimit evropian, përfshirë procesin e liberalizimit të vizave, ndërsa vazhdimisht punon kundër saj me kursin e saj rrënues. Për çfarë opozite mund të flasim, kur nuk është në gjendje t’i përcjellë dinamikat zhvillimore në vend, një opozitë që propozon diçka dhe vetë nuk e voton, një opozitë që në mungesë totale të alternativave tërë kohën flet vetëm për zgjedhje pa asnjë zgjidhje, një opozitë që nuk ka guxim të përballet me asnjë problem.

Pra, tërë ditën fajëson për mosliberalizim të vizave, duke mos qenë në gjendje të reflektojë ndaj asnjë zhvillimi të mundshëm. Sigurisht seopozita është pjesë integrale e zhvillimit demokratik, por duke u marrë me individë e jo me procese siç duket e ka çorientuar dhe shkapërderdhur në tërësi. (Vijon)

Fjalët Kyçe:

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Qeveria e Kosovës, pas propozimit të Ministrit të Kulturës, Rinisë…