NATO firmos kontratë 1.1 miliard euroshe për blerje të municioneve

23 janar 2024 | 13:18

NATO-ja ka nënshkruar të martën një kontratë në vlerë të 1.1 miliard eurove për qindra mijëra fishekë artilerie 155 milimetërsh  me disa prej të cilave do të furnizohet Ukraina pasi Kievi është ankuar për mungesë municioni.

“Lufta në Ukrainë është kthyer në një betejë municionesh”, u ka thënë gazetarëve sekretari i përgjithshëm i NATO-s, Jens Stoltenberg, pas një ceremonie nënshkrimi në selinë e aleancës ushtarake perëndimore në Bruksel.

Ministri ukrainas i Mbrojtjes, Rustem Umerov, ka thënë javën e kaluar se mungesa e municioneve, të cilat ai i ka përshkruar si “uri e predhave”, ishte një problem i madh për trupat e Kievit gati dy vjet pas pushtimit të plotë të Rusisë.

Agjencia e NATO-s për Mbështetjen dhe Prokurimin (NSPA) e ka arritur marrëveshjen në emër të disa aleatëve, të cilët ose do t’ia kalojnë predhat Ukrainës ose do t’i përdorin ato për të grumbulluar inventarin e tyre të varfëruar, raporton “Reuters”.

Një zyrtar i NATO-s i ka identifikuar blerësit si Belgjika, Lituania dhe Spanja, të cilat janë bashkuar për të përfituar nga çmimet më të ulëta të siguruara nga blerja me shumicë.

“Kontrata ka të ngjarë të japë rreth 220 mijë  fishekë municione artilerie, me dërgesat e para që priten në fund të vitit 2025, ka thënë zyrtari i NATO-së për “Reuters”.

Predhat do të furnizohen nga prodhuesi francez i armëve “Nexter” dhe “Junghans” i Gjermanisë, sipas një burimi të industrisë.

Që kur NATO-ja ka filluar një program për të adresuar mungesat në rezervat ushtarake të aleatëve korrikun e kaluar, NSPA-ja ka rënë dakord për marrëveshje me vlerë 9.19 miliardë euro, ka thënë Stoltenbergu.

Kjo përfshinte predha artilerie dhe tankesh, si dhe raketa të mbrojtjes ajrore “Patriot”.

Në një takim në shkurt, ministrat e mbrojtjes të NATO-s do të diskutojnë mënyra të tjera për të rritur prodhimin industrial të armatimit.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Pas rreth dy orësh, ish-kryeministri Sali Berisha, ka dalë nga…