NATO-ja e do FSK-në ushtri, pas ndryshimeve kushtetuese

22 shkurt 2018 | 17:54

Transformimi Forcës së Sigurisë së Kosovës (FSK) në Ushtri të Kosovës, duhet të bëhet në pajtim me reformat kushtetuese, ka thënë komandantit i Forcave të Përbashkëta Aleate të NATO-s në Napoli, James Foggo.

Sipas tij, të gjithë liderët e Kosovës janë në dijeni se pa ndryshime kushtetuese, FSK-ja nuk mund të shndërrohet në ushtri.

“Aleanca e NATO-s dhe Këshilli i Atlantikut Verior ishin këtu para disa muajsh dhe ata e bënë shumë të qartë se për NATO-n, nëse bëhet transformimi i FSK-së në Ushtri të Kosovës, duhet të bëhet pas ndryshimeve kushtetuese”, ka thënë Foggo, gjatë një konference për medie në selinë qendrore të KFOR-it në Prishtinë.

Komandanti Foggo ka folur edhe për kërcënimet e mundshme që mund të vijnë nga Serbia dhe ndikimi i Rusisë në Ballkan, e në veçanti në Kosovë. Përkundër raporteve të mira midis Serbisë dhe Rusisë, Foggo ka thënë se nuk ka vend për shqetësim. “Ka pasur shitje të armëve, të avionëve, disa avionë që i janë shitur Serbisë, unë nuk do t’i blija, janë MIG 29, të cilët janë të vjetër dhe nuk paraqesin kërcënim”, ka thënë Foggo.

Krijimi i Ushtrisë së Kosovës përmes ndryshimeve kushtetuese, në vazhdimësi është kundërshtuar nga Lista Serbe, e cila përkrahet nga Beogradi. Pa votat edhe të Listës Serbe nuk mund të ketë ndryshime kushtetuese.

Pas pengesave të shumta, vitin e kaluar, presidenti i Kosovës Hashim Thaçi kishte tentuar që transformimin e FSK-së ta bënte përmes një projektligji i cili do të mundësonte shndërrimin e FSK-së në një forcë me kompetenca mbrojtëse, ushtarake.

Iniciativa e Thaçit ishte kundërshtuar nga NATO, Bashkimi Evropian dhe ShBA-ja. (REL)

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj, ka pritur të enjten në…