NATO për kundërofensivën e Kievit: Është shumë e vështirë për ushtrinë ukrainase

04 korrik 2023 | 08:53

Kundërofensiva e Ukrainës kundër forcave ruse ka rezultuar e vështirë për shkak të minave dhe pengesave të tjera, ka thënë zyrtari më i lartë ushtarak i NATO-s.

“Një kundërofensivë është e vështirë”, tha admirali Rob Bauer, oficeri holandez që kryeson bordin ushtarak të NATO-s, transmeton Telegrafi.

“Ju nuk duhet të mendoni se ky është një hap i lehtë. Nuk do të jetë kurrë i tillë”, u tha ai gazetarëve në selinë e NATO-s në Bruksel.

“Forcat ukrainase përballen me pengesa mbrojtëse, ndonjëherë deri në 30 kilometra të thella, ndërsa përpiqen të thyejnë linjat ruse”, tha Bauer, duke u thirrur në një krahasim historik për të shprehur mendimin e tij.

“Kemi parë Normandinë në Luftën e Dytë Botërore që u deshën shtatë, tetë, nëntë javë që aleatët të thyenin me të vërtetë linjat e mbrojtjes së gjermanëve. Prandaj, nuk është çudi që nuk po shkon shpejt”, theksoi holandezi.

Imazhet satelitore të rishikuara nga Reuters në prill tregojnë se Rusia ka ndërtuar fortifikime të gjera, istikame, barriera automjetesh dhe pengesa të tjera për të ngadalësuar çdo përparim ukrainas.

Pikëpamjet e Bauer janë të ngjashme me ato të Shefit të Shtabit të Përbashkët të Ushtrisë amerikane, Mark Milley, i cili tha të premten se kundërofensiva do të jetë shumë e vështirë, shumë e gjatë dhe “shumë, shumë e përgjakshme”.

Holandezi theksoi se forcat ukrainase kanë të drejtë të veprojnë me kujdes për të shmangur viktima ndërsa hetojnë pikat e mundshme të shkeljes.

“Është jashtëzakonisht e vështirë në këtë lloj operacioni. Mendoj se mënyra se si e bëjnë këtë është e lavdërueshme”, theksoi ai.

Bauer beson se forcat ukrainase nuk duhet të bëhen presion dhe kritikë sepse nuk veprojnë më shpejt.

“Kjo është një kohë shumë, shumë e vështirë për ta”, tha për fund Bauer.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani i ka pritur…