Nazim Bllaca është gjallë, e konfirmon i vëllai

20 maj 19:16

Nazim Bllaca është gjallë.

Këtë e ka konfirmuar për Klankosova.tv vëllai i tij, Liman Bllaca, i cili tha se Nazimi është shëndosh e mirë dhe nën mbrojtje ndërkombëtare.

Ai e demantoi kështu avokatin e Kadri Veselit, Ben Emmerson, i cili, gjatë konferencës së sotme për ecurinë e çështjes për ish-krerët e UÇK-së, deklaroi se Nazim Bllaca ka vdekur.

“Prokuroria vazhdon të mbështetet te një dëshmitar, Nazim Bllaca, i cili ka vdekur. Ka informacione që ka qenë aset serb, i paguar nga shërbimet e fshehta serbe”, deklaroi Emmerson, të paktën sipas përkthimit zyrtar të Dhomave të Specializuara të Kosovës.

Nazim Bllaca u bë shumë i njohur në vitin 2009, pasi deklaroi publikisht se kreu vrasje në emër të Shërbimit Informativ të Kosovës (SHIK).

Pas kësaj deklarate që e tronditi vendin, Nazim Bllaca, që vetëdeklarohej si agjent i SHIK-ut, u bë dëshmitar i mbrojtur i EULEX-it. Në këtë cilësi, ai u largua nga Kosova dhe vendndodhja e tij nuk dihet.

Bazuar në deklaratat e Nazim Bllacës, u zhvilluan tri procese gjyqësore, “Bllaca 1″, “Bllaca 2” dhe “Bllaca 3”.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Një deklaratë e Ben Emmerson, avokat i ish-kryetarit të Kuvendit,…