NAZMI HOXHA, PERSONALITET I MADH I ÇËSHTJES KOMBËTARE

04 gusht 2020 | 12:42

Me rastin përvjetorit të ndarjes nga jeta me 3 Gusht 2001, ne nderim te veprimtarit e atdhetarit te madh kombetar Nazmi Hoxha, po e ripublikoj kete fjalim mireseardhjeje, i kohes kur u lirua nga burgu!

* * * * *

Ismet Sylejmani

Motra dhe vëllezër,

Të nderuar mysafirë,

I dashur vëlla Nazmi,

Më lejoni që me këtë rast t’i them disa fjalë që nuk janë e nuk do të jenë të tepërta!

Ky tubim i sotëm është një çast historik në jetën e fshatit tonë!

Kjo që po ngjanë sot është festë dhe kemi të drejtë të festojmë e të gëzohemi, sepse me ne e në mesin tonë është luftëtari i lirisë, është djali, vëllai, shoku dhe fshatari ynë Nazmi Hoxha i cili, bashkë me shumë bijë dhe bija më të mirë të popullit shqiptar të Kosovës dhe të viseve të saj, në çastet më kritike të atdheut, në ditët më të vështira të nënë Kosovës, u organizua në radhët e luftës ilegale për liri!

Pas demonstratave gjithëpopullore që u zhvilluan në pranverën e vitit 1981, UDB-a ishte tërbuar dhe ishte vërsulur me të gjitha forcat që kishte për t’i shtënë në dorë organizatorët dhe udhëheqësit e këtyre demonstratave, që kritika përparimtare revolucionare i ka vlerësuar si zgjim gjithëkombëtar i popullit shqiptar që jeton në trojet e veta në Jugosllavi!

UDB-a arrestoi shumë bijë dhe bija, në mesin e të cilëve edhe vëllanë e shokun tonë, Nazmiun!

Regjimi i egër me të cilin udhëhiqnin shovinistët serbo-maqedono-malazezë mëdhenjtë dhe kuisilingët shqiptarë, ndaj bijve e bijave tona, ushtroi torturat më çnjerëzore, që zor se edhe inkuizitorët mesjetarë t’i kenë përdorur!

Ndaj bijve e bijave të popullit tonë u shqiptuan qindra vjet burg!

Shokë dhe shoqe,

Fshati ynë është i njohur sepse popullit shqiptar dhe luftës së tij për liri i dha shumë bijë.

I fshatit ishte Ramiz Cernica, i njohur me qëndrimin e tij prej patrioti e atdhedashësi sypatrembur, i cili në Prizrenin legjendar shovinistëve jugosllavë dhe tradhtarëve shqiptarë të asaj kohe, e që vlen edhe për të sotshmit, ua konfirmoi atë që ishte shprehje shpirtërore e popullit shqiptar, njëherësh rezolucion i Konferencës historike të Bujanit, se populli shqiptar i Kosovës nuk dëshiron të jetojë brenda kufijve shtetërorë të Jugosllavisë, por të Shqipërisë.

Akti heroik i këtij biri të madh, që nuk ishte i vetëm në Prizren, për brezat e ardhshëm do të bëhet burim frymëzimi, pasi që shumë bijë të fshatit tonë do të nisen rrugës së vështirë e të mundimshme, por të ndritur për çlirimin e atdheut; do të përkushtohen e do t’i vënë të gjitha forcat në shërbim të çështjes kombëtare.

Rrugës së lavdishme për çlirimin e Kosovës nga thundra titiste e serbomadhe, pos bacë Ramizit, ecën Kadri Halimi, Ramadan Halimi, Raif Halimi, Imer Halimi, Shemsedin Hoxha, Arban Hoxha, Zija Hoxha, Bahri Hasani etj.

Por, vlen të theksohet se më i dalluari është Kadri Halimi, i cili ishte ndër të parët që në mënyrë të organizuar luftoi për lirinë e Kosovës.

Këtë pionier të shkencës UDB-a e arrestoi dhe e dënoi me 7.5 burg, të cilat i kaloi nëpër burgjet më të tmerrshme, si në Goli Otok, Nish etj.

I dashur vëlla Nazmi,

Që nga koha kur UDB-a ju arrestoi juve dhe shokët tuaj shumë ngjarje u zhvilluan dhe shumë ndryshime ndodhën.

Prej vitit 1981, të asaj pranvere të kuqe, kur populli shqiptar u ngre në këmbë si një trup i vetëm dhe fuqishëm kërkoi Republikë për Kosovën, shumë përpjekje e luftë e pandërprerë u bë, shumë gjak u derdhë, ranë në fushën e nderit bijtë dhe bijat më të mirë.

Shovinistët serbomëdhenj, në bashkëpunim me llumin e kombit, tradhtarët, dallaveraxhinjtë, intrigantët profesionistë, intelektualët e kalbur, kalemxhinjtë e shitur etj., u vunë në ndjekje të atyre bijve që nuk kishte mundur t’i arrestonte gjatë arrestimeve UDB-a.

Disa nga këta bijë ishin larguar edhe jashtë atdheut për t’iu shmangur ndjekjeve dhe dorës tradhtare.

Por, dora gjakatare e shovinizmit pis edhe në mërgim arriti t’i vrasë luftëtarët e lirisë, Jusuf e Bardhosh Gërvallën dhe shokun tuaj të punës e të luftës, Kadri Zekën.

Edhe pas vrasjes së këtyre, UDB-a katile nuk u ngop me gjakun e bijve tanë.

Në vitin 1984, me ndihmën e tradhtarëve dhe spiunëve shqiptarë, arriti t’i zbulojë dhe t’i vrasë, të rrethuar me ushtri e polici, në një bodrum të një lagjeje të Prishtinës heroike, shokët tuaj dhe bijtë e Kosovës martire, heronjtë e popullit Rexhep Malajn dhe Nuhi Berishën.

UDB-a fashiste na e solli të vdekur nga burgu të pamposhturin Zija Shemsiun, i cili nga torturat çnjerëzore që u ushtruan mbi të, vdiq!

Në mesin e dhjetëra e qindra dëshmorëve janë edhe Agim Rashiti dhe Reshat Imeri, të cilët na i vrau policia çetnike në demonstratat gjithëpopullore që u zhvilluan edhe në Gjilan.

I dashur vëlla Nazmi,

Rrënjët historike të qëndresës burrërore dhe të karakterit të papërkulur e liridashës të popullit shqiptar u futën edhe më thellë dhe u zgjeruan edhe më shumë më 2 Korrik e 7 Shtator, kur Kosova u shpall Republikë.

Kurse sot, para nesh, shtrohet detyra historike që Kushtetutën e Republikës së Kosovës, të shpallur në Kaçanikun legjendar, ta jetësojmë dhe të funksionojë normalisht.

Rrofshin të burgosurit politikë!

Lavdi dëshmorëve të rënë në luftën për liri!

Rroftë populli ynë trim dhe i pamposhtur!

Rroftë Republika e Kosovës!

Shkruar pas 29 nëntorit 1990, pas daljes nga burgu të veprimtarit të madh të çështjes kombëtare!

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Antonio Conte mund të largohet nga Interi. Sipas mediave italiane,…