NCEU i reagon Bislimit: Etiketimet ndaj shoqërisë civile janë kundër frymës së dialogut dhe vlerave evropiane

15 shkurt 2024 | 14:39

Konventa Kombëtare për Bashkimin Evropian (NCEU) i ka reaguar zëvendëskryeministrit Besnik Bislimi, duke thënë se etiketimet e tij ndaj organizatave të shoqërisë civile janë kundër frymës së dialogut dhe vlerave evropiane.

Zëvendëskryeministri Bislimi të mërkurën kritikoi emisarin e Bashkimit Evropian për dialogun Kosovë – Serbi, Miroslav Lajçak, për qasje jo të drejtë dhe jo neutrale në procesin e normalizimit. Bislimi ka reaguar pasi Lajçaku të martën në një postim shkroi për një takim me përfaqësues të Konventës Kombëtare për Bashkimin Evropian (NCEU), por nuk tregoi se ishte NCEU e Serbisë.

Por NCEU-ja ka thënë se ata veprojnë si të pavarur dhe nuk përfaqësojnë pikëpamjet e asnjë organi shtetëror. NCEU-ja thotë se nuk e sheh dialogun si armiqësi mes dy palëve, por si proces që duhet ta mundësojë paqen.

“Konventa Kombëtare e Bashkimit Evropian është një rrjet i organizatave të shoqërisë civile që është i pavarur në punën e saj dhe nuk përfaqëson pikëpamjet e asnjë organi shtetëror, organizatë dypalëshe apo ndërkombëtare. Grupi i Punës për Kapitullin 35 po punon në mënyrë aktive për të monitoruar, përmirësuar dhe promovuar procesin e dialogut të normalizimit, si dhe pajtimin ndërmjet komunitetit shqiptar dhe atij serb. Ne nuk e shohim Dialogun si një rivalitet mes dy palëve armiqësore, por si një proces që duhet të mundësojë paqe të qëndrueshme, një jetë më të mirë për të gjithë njerëzit pa dallim kombësie apo etnie, si dhe prosperitet për të gjithë rajonin”, thuhet në reagim.

“Puna e Grupit Punues është e hapur për publikun dhe nga rezultatet tona përfitojnë të gjithë pjesëmarrësit në dialog, përfshirë Bislimi. Etiketimi i organizatave të shoqërisë civile nga Bislimi është kundër frymës së Dialogut, kundër vlerave evropiane dhe parimeve demokratike. Prandaj, konsiderojmë se sjellja e tij duhet të dënohet nga Qeveria e Kosovës, Bashkimi Evropian dhe shtetet anëtare të Quintit”, thuhet në reagimin e tyre të publikuar të enjten.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Mbi 2 miliardë dollarë – kjo është shuma që Shtetet…