NDAA i SHBA-së dhe pozicioni i Kosovës në arkitekturën e sigurisë
Shkruan: Hisen Berisha
Miratimi dhe nënshkrimi nga Presidenti i SHBA-së, Donald Trump, i Ligjit për Autorizimin e Mbrojtjes Kombëtare (NDAA) me një buxhet mbi 901 miliardë dollarë për programet e mbrojtjes, përbën jo vetëm një vendim financiar, por një dokument strategjik me peshë gjeopolitike globale.
Përfshirja eksplicite e Kosovës në këtë ligj është sinjal i qartë politik dhe i sigurisë, me rëndësi të shumëfishtë për shtetin e Kosovës.
NDAA nuk është vetëm ligj thjesht buxhetor që ndan mjete financiare për ushtrinë amerikane por është një dokument strategjik, që përcakton prioritetet strategjike, aleancat, partneritetet dhe vijat e kuqe të politikës së sigurisë së SHBA-ve.
Çdo vend i përmendur në këtë ligj trajtohet si pjesë e interesit strategjik amerikan.
Në këtë kontekst, përfshirja e Kosovës e vendos atë qartë në hartën e interesave të sigurisë së SHBA-së.
Dispozitat e NDAA-së, riafirmojnë mbështetjen për sovranitetin dhe integritetin territorial të Republikës së Kosovës, kundërshtimin e qartë të ndarjeve territoriale apo ndryshimit të kufijve, dhe refuzimin e çdo zgjidhjeje që cenon rendin kushtetues të Kosovës.
Kjo është veçanërisht e rëndësishme në një kohë kur ide të rrezikshme për “korrigjime kufijsh” apo “zgjidhje kreative” rikthehen periodikisht në diskursin politik rajonal dhe çarqe të caktuara brenda kombëtare.
NDAA e pozicionon dialogun Kosovë-Serbi brenda një kornize të qartë amerikane, si
dialogim i bazuar në njohje reciproke, dhe jo në zgjidhje të përkohshme apo kompromis të njëanshëm në dëm të Kosovës. Kjo është një mesazh i drejtpërdrejtë edhe për Beogradin, por edhe për faktorë ndërkombëtarë që kanë toleruar paqartësi strategjike në proces.
Në kontekstin e tensioneve të vazhdueshme në veri të Kosovës, ky ligj përbën mesazh sigurie si, garanci politike dhe strategjike për Kosovës dhe sigurinë e sajë, paralajmërim për aktorët destabilizues dhe sponsorët e tyre, dhe sinjal se SHBA-të e shohin Kosovën si faktor stabiliteti dhe jo si problem sigurie.
Në një mjedis global të pasigurt, ku Ballkani Perëndimor mbetet zonë e ndjeshme për ndërhyrje hibride, ky pozicionim amerikan është faktor kyç parandalues.
Riafirmimi i mbështetjes amerikane nuk është çek i bardhë por ërgjegjësi shtesë për institucionet e Kosovës.
Ai vjen me pritshmëri të qarta, për konsolidim të shtetit ligjor, koordinim të ngushtë me SHBA-në dhe NATO-n, shmangie të veprimeve të njëanshme që dëmtojnë aleancën strategjike, dhe ndërtim serioz të kapaciteteve të sigurisë dhe mbrojtjes.
Kosova duhet ta lexojë NDAA-në jo vetëm si mbështetje, por si udhërrëfyes strategjik. Me mbi 901 miliardë dollarë dhe përfshirjen e Kosovës në të, është një konfirmim i fuqishëm se Kosova mbetet projekt strategjik i SHBA-së në Ballkan.
Ai e forcon pozicionin ndërkombëtar të Kosovës, e mbron sovranitetin e saj dhe e lidh qartë të ardhmen e saj me arkitekturën euro-atlantike të sigurisë.
Në një kohë pasigurie globale, ky është një mesazh i qartë:
Kosova nuk është e vetme, por duhet të sillet si aleate serioze dhe shtet i përgjegjshëm.



