
Ndahet nga jeta profesionistja e jashtëzakonshme në fushën e kontabilitetit dhe auditimit, Arlinda Krasniqi-Pemaj
Është ndarë nga jeta profesionistja e jashtëzakonshme në fushën e kontabilitetit dhe auditimit, Arlinda Krasniqi-Pemaj. Kështu është bërë e ditur nga Instituti KAF.
Njoftimi i plotë:
INSTITUTI KAF – NJOFTIM MORTOR
Me pikëllim të thellë dhe ndjenjë të theksuar humbjeje, Instituti KAF njofton komunitetin profesional kombëtar dhe ndërkombëtar për ndarjen nga jeta të koleges sonë të nderuar,
Arlinda Krasniqi – Pemaj – (06.08.1995 – 15.05.2025)
ARLINDA ishte një profesioniste e jashtëzakonshme në fushën e kontabilitetit dhe auditimit, e njohur për përkushtimin e saj të palëkundur ndaj etikës, saktësisë dhe përgjegjësisë profesionale. Si Anëtare e Kuvendit të Institutit KAF për dy mandate të njëpasnjëshme, ajo dha një kontribut të jashtëzakonshëm në forcimin e rolit të institucionit në ndërtimin e kapaciteteve profesionale në vend dhe më gjerë.
Puna e saj, qëndrueshmëria në vlera, dhe përkushtimi ndaj dijes dhe komunitetit do të mbeten një frymëzim i përhershëm për të gjithë ne.
Varrimi i së ndjerës do të mbahet sot, më 15 maj 2025, në ora 18:00, në varrezat e fshatit Bardh i Vogël – Fushë Kosovë.
Ngushëllimet tona më të sinqerta i shprehim familjes së saj, bashkëpunëtorëve dhe gjithë komunitetit që pati privilegjin ta njohë.
Njëherit, znj. Arlinda Krasniqi – Pemaj ishte motra e Drejtorit Ekzekutiv të Institutit KAF, z. Bujar Krasniqi, dhe e Menaxheres së Institutit, znj. Mejreme Krasniqi Sadiku.
Në emër të stafit dhe anëtarësisë së gjerë,
Instituti KAF
Prishtinë, 15 maj 2025