Ndalohen për 48 orë tre zyrtarët e arrestuar të Komunë së Prishtinës
Prokuroria Themelore në Prishtinë u ka caktuar masën e paraburgimit prej 48 orë, tre zyrtarëve të Komunës së Prishtinës të arrestuar të martën për ryshfet.
Lajmi është konfirmuar nga zëdhënësja e Prokurorisë Themelore në Prishtinë, Kaltrina Shala.
“E konfirmoj se prokurori i shtetit ka marrë aktvendimin për ndalimin e tre personave në kohëzgjatje prej 48 orësh, për veprën penale “Keqpërdorim i pozitës apo autoritetit zyrtar” në bazë të nenit 414 të KPRK-së, dhe veprën penale “Marrje e ryshfetit” sipas nenit 421 të KPRK-së”, tha Shala.
Prokuroria ka bërë të ditur se njëri nga të arrestuarit është kapur në flagrancë.
Gjatë aksionit janë sekuestruar edhe telefona që sipas Prokurorisë do të shërbejnë si prova.
“Janë sekuestruar edhe telefona si prove e cila di të shërbejnë në zhvillimin e mëtejshëm të procedurës hetimore. Prokurori i shtetit brenda afatit ligjor do të parashtroje kërkesë me shkrim gjykatës kompetente për caktimin e ndonjë prej masave ndaj te dyshuarve”, ka thënë Shala.
Për rastin ka reaguar edhe kryetari i kryeqytetit, Përparim Rama. Ai ka thënë se kryeqyteti do të ofrojë bashkëpunim të plotë me të gjitha organet kompetente, në përputhje me detyrimet ligjore dhe standardet e një shteti demokratik.
Ndërsa, partia më e madhe opozitare në Prishtinë, Lëvizja Vetëvendosje ka vlerësuar se rasti nuk është i veçuar, por dëshmi e një problemi më të gjerë të korrupsionit të institucionalizuar në nivel komunal.



