Nder, lavdi dhe kujtim për legjendën e Koshares, heroin e gjallë Fatmir Hoti

25 dhjetor 2025 | 00:51

Rrëfim lufte nga dita e tretë e luftimeve për Kosharen heroike – 11 prill 1999

Ishte dita e tretë e luftimeve. Për mua, edhe sot ajo ditë mbetet shumë e freskët, ashtu si përjetimi i betejës së legjendës Fatmir Hoti. Atë ditë ishim në sulm të drejtpërdrejtë mbi pozicionet e forcave serbe, me qëllim të zgjerimit të zonës së lirë për forcat tona.

Ishte një mëngjes i zhurmshëm; granatimet nga forcat armike vinin nga të gjitha anët.

Fatmiri, me zemër luani dhe trim i vërtetë, na printe përpara me një qetësi absolute. Papritur hasëm në pozicione të armikut, të cilët ishin të shumtë në numër, dhe natyrisht filloi beteja e titanëve.

Ishte e tërë njësia “Delta”, tri skuadrat e para. Përballjet e pamëshirshme nisën nga të dyja palët. Fatmiri arriti t’i eliminonte tre ushtarë të armikut dhe më pas tentoi ta zinte të gjallë një kapiten të forcave serbe.

Kapiteni serb, duke fshehur një dredhi të madhe, u dorëzua. Filluan komunikimet e para, ndërkohë që ai, me një strategji fatale për Fatmirin, u shtir sikur dëshironte të dorëzohej. Pas tij, në një lartësi jo të largët, ishte i fshehur dhe i maskuar mirë një snajperist serb.

Kapiteni serb i ngriti duart dhe në gjuhën serbe tha:

“Unë po dorëzohem, por çfarë më garantoni ju nëse dorëzohem unë me gjithë njësinë time?”

Heroi Fatmir Hoti iu përgjigj:

“Do t’ju trajtojmë sipas Konventave Ndërkombëtare.”

Gjatë bisedës, Fatmiri po ndërronte karikatorin e njërës nga armët që mbante, pasi ai posedonte një snajper jugosllav dhe një kallashnikov jugosllav të zënë një ditë më parë, ndërsa kishte mbetur me municionin e fundit.

Kapiteni serb, me përvojë luftarake, vazhdimisht kërkonte kushte nga Fatmiri, me qëllimin e vetëm për të fituar kohë, derisa snajperisti i maskuar sipër tij të zbulonte pozicionin e Fatmirit. Pas pak çastesh, snajperisti serb arriti ta zbulonte pikën e tij dhe e qëlloi drejtpërdrejt në kokë.

Pas kësaj, të gjithë ne u kundërvumë në sulm. Komandant Anton Quni dhe Demir Murseli, të cilët ishin më afër Fatmirit, arritën ta eliminojnë kapitenin serb. Ndërkaq, ne bashkë me Kasim Ukën, tashmë Hero i Koshares, shkuam drejtpërdrejt te Fatmiri, i cili ishte tërhequr nga pozicioni ku ishte plagosur.

Dita e 11 prillit ishte një kundërsulm i egër i armatës jugosllave për ta rikthyer Kosharen me çdo kusht.

Edhe kjo ishte një nga ditët më të tmerrshme dhe intensive të luftimeve. Luftimet zgjatën nga mëngjesi deri në orën 02:00 pas mesnate. Për asnjë çast nuk u ndalën përplasjet dhe granatimet e armikut.

Koshare, 11.04.1999

Huazuar

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Kandidati për deputet nga radhët e Partisë Demokratike të Kosovës…