Nderohet kontributi i punonjësve shëndetësorë ndër dekada
Kryetari i Këshillit Drejtues të Odës së Infermierëve, Mamive dhe profesionistëve të tjerë shëndetësorë, Bashkim Mehmeti, së bashku me përfaqësues të odave të tjera të profesionistëve shëndetësorë, ka marrë pjesë në ceremoninë e nderimit me rastin e 16 Shkurtit – Ditës përkujtimore për stafin shëndetësor.
Ceremonia u mbajt pranë Obeliskut të vendosur katër vite më parë në hyrje të Qendrës Klinike Universitare e Kosovës (QKUK), ku Mehmeti vendosi lule në shenjë respekti dhe mirënjohje për punonjësit shëndetësorë dhe kontributin e tyre ndër dekada në shërbim të qytetarëve.
16 shkurti, shërben jo vetëm për të kujtuar ata që kanë humbur jetën në krye të detyrës, por edhe për të vlerësuar sakrificën, profesionalizmin dhe përkushtimin e vazhdueshëm të stafit shëndetësor, veçanërisht në periudha sfiduese për sistemin shëndetësor, siç ishte pandemia Covid 19, lufta dhe periudha e apart’heidit, gjatë viteve të nëntëdhjeta.



