Ndërron jetë Basri Qerimi, babai i heroit Xhevat Qerimi

11 gusht 2025 | 19:30

Nga: Menderes Zeneli

Sot na u ligështuan zemrat. Basri Qerimi u nda nga jeta!

Kush merr vesh se axha Basri nuk jeton më, menjëherë i shkon mendja te Xhevati, djali i tij, që ra dëshmor në vitin e largët 1993.

Basri Qerimi, i lindur më 1938, jetën e filloi në Tërpezë të Vitisë dhe u nda nga jeta më 11 gusht 2025 në Pozharan.

Si krejt shqiptarët, edhe ai nuk e pati të lehtë t’i përballonte gjithë atë sakrificë dhe mund, gati tërë jetën e vet.

Përveç përgjegjësive bashkëshortore e prindërore për ta mbajtur e shkolluar familjen, nuk ndenji indiferent as në çështjen kombëtare.

Për një kohë sa punoi në Perëndim, veproi edhe me shokë e miq të besueshëm, duke sjellë literaturë që atëherë ishte e ndaluar.

Ndikimi i tij u ndje edhe në familjen e ngushtë e të gjerë. Shumë prej tyre u organizuan për të qenë të gatshëm për të rezistuar – në mesin e tyre edhe djemtë e tij, Xhevati e Qemajli, dhe të tjerë nga familja e gjerë Qerimi, që tashmë ishin pothuajse të gjithë në Pozharan.

Jeta ka sfidat e saj, por secili ka të veçantën që nuk mund ta harrojë lehtë, çfarëdo qoftë ajo.

Axha Basri i kaloi të ’80-at me një qëndrim burrëror, pa e zbuluar brengën e madhe të brendshme.

Nuk dua t’i përshkruaj të gjitha, sepse ata që kanë jetuar afër tij e dinë më së miri.

A mund ta ndiejë dikush se si është ta humbësh djalin, përveç atij që e ka përjetuar?

Në këtë rast, Basri Qerimi e nëna Rexhie, së bashku me fëmijët – vëllezërit Qemajlin e Ramizin, motrat Magriben, Teutën e Shiqeren – e përjetuan këtë dhimbje të rëndë.

Vitet e fundit, axha Basri vuante nga një sëmundje e rëndë, e cila kohëve të fundit iu rëndua edhe më shumë.

Pak vite më parë, ai dhe nëna Rexhie shkuan dorë për dore aty ku djali i tyre kishte lënë gjurmë – në Surrel të Tiranës – sikur ta përqafonin.

Nuk ka më fjalë…

Ngushëllime

Familja: Nëna Rexhie,

Qemajl,

Ramiz,

Magribe,

Teuta,

Shiqere

Nipa e mbresa

Miq dhe shokë

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
I është dhënë lamtumira e fundit Selami dhe Edmond Hasanit,…