TRUNGU DEGA DHE LASTARI
Ismail Syla
(Mbrëmje solemne në Krejkovën e dr. Hafir Shalës)
Ftesës së Gentritit, djalit të dr. Hafir Shalës me tekstin: “Kam nderin dhe kënaqësinë të ju ftoj në ahengun për ardhjen në jetë të Hafirit të ri, që trashëgon emrin dhe krenarinë e gjyshit Hero”, nuk ka se si të mos i përgjigjesh pozitivisht, për tubimin në mbrëmjen e 10 gushtit 2025.
Në oborr të organizuar mirë të Besnik Shalës, që jeton në SHBA, djalit të dëshmorit Sahit Shala, i rënë më 31 janar 1990 afër hekurudhës në Drenas në protestën popullore kundër rrënimit të Kushtetutës së Kosovës, kanë ardhur mysafirë të shumtë, veprimtarë të njohur, komandantë të shquar, ish të burgosur politikë dhe figura aktuale të jetës politike (Sami Lushtaku, Nait Hasani, Ramiz Lladrovci, Elmi Reçica etj…). Në mes të tavolinave në formë katrori, një grup këngëtarësh e mban atmosferën. Gentriti me pak fjalë uron mirëseardhje për mysafirët, pa fjalim të ngarkuar.

Këngët e zgjedhura të frymës së lartë patriotike u këndojnë trimave të lirisë, djemve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, dëshmorëve dhe heronjve. Nuk mungojnë as të shtënat me armë, si traditë e njerëzve të kësaj ane që gëzimet i shënojnë edhe me krisma predhash.
Në një mbrëmje të tillë jepet rasti të takohen njerëz që me vite nuk shihen dhe shkëmbimi i bisedave është mjaft atraktiv. Nën dritën e një projektori mysafirët në tryeza marrin shkëlqim solemn.
Kanë kaluar rrafsh 50 vjet, gjysmë shekulli, që kur e njoha Hafir Shalën në bankat e gjimnazit “Gjergj Kastrioti -Skënderbeu” të Drenasit (1975), në ndërtesën – barakë, afër godinës solide të shkollës fillore “Bashkimi”, tash “Rasim Kiçina”.
Në këtë mbrëmje në kokë më sillen ato vite të vrullit rinor. Deri sa me fqinjin në tryezë, Idriz Hysenin, njërin nga komandantët e shquar të njësiteve “Pëllumbi” të UÇK-së flasim për fragmente jete dhe veprimtarie humanitare të Hafirit, e kam të vështirë t’ia shpalos Hafirin siç e njoha unë. Ai ka një rrëfim interesant për arrestimin e doktorit, më 10 prill 1998, një lloj kurthi i rafinuar, në ditën që po shkonte për në Prishtinë, për ta sjellë me vete një rentgen mobil, për ekzaminimin e ushtarëve të UÇK-së, që plagoseshin në aksione ose beteja.

Hafiri që në njohjen e parë ra në sy me trupin e tij të hollë, të gjatë dhe fytyrën e hajthme, me sy të kaltër në të gjelbër që reflektonin inteligjencë, mendjemprehtësi dhe përkushtim ndaj dijes. Nuk e mbaj në mendje për çantë të rëndë, po për gazetën “Rilindja” dhe një fletore shënimesh që i mbante pashmangshëm. Ai udhëtonte këmbë përditë nga vendlindja deri në gjimnaz.
Si gjimnazist i drejtimit të shkencave natyrore – matematikore, Hafiri qe mendje e shkëlqyer. Logjikën e njohjes dhe kuptimit të fenomeneve bërthamë pas bërthame, e kishte të lindur, përkundër mësimit mekanik dhe përmendësh. Kjo metodë individuale e tij gjeti zbatim veçanërisht në lëndën e kimisë. Mund të them se në këtë lëndë asgjë nuk kishte çka t’i “zbulojë”, profesori Jonuz Salihu, një pedagog i jashtëzakonshëm, i përgatitur dhe entuziast. Po ashtu as profesori i fizikës, Ymer Halimi, nuk e surprizonte Hafir Shalën e vitit të katërt të gjimnazit.

Deri sa unë po e vëreja talentin dhe thëllimin në shkenca filologjike dhe sociale, e Hafiri në ato natyrore, ne të dyve na u rrit ambicia që të bëjmë kërkesë në drejtorinë e gjimnazit për t’u përparuar, dhe, pas përfundimit të klasës së tretë, në qershor, të hynim në provime të klasës së katërt, dhe kështu të bëheshin studentë një vit më herët.
Kur u shtrua kjo çështje, drejtori i atëhershëm, shkrimtari i shquar i letërsisë për fëmijë, albanologu Ymer Elshani na njoftoi se kjo formë e përparimit nuk është e paraparë në statutin e shkollës. Pa këtë normë, nuk mund të shqyrtohej kërkesa.
Me këmbëngulje në arritjen e kësaj ëndrre së bashku më Hafirin gjetëm dyert e Këshillit Ekzekutiv të KSAK, (në presidencën e sotme), gjegjësisht takimin me sekretarin e arsimit Tahir Z. Berisha, (nëse nuk e kam harruar emrin…), i cili mirëkuptoi kërkesën tonë, dhe në një zarf futi një letër për drejtorin e arsimit komunal, z. Nuredin Ibriqi, me rekomandim, “t’u ndihmohet këtyre nxënësve kërkesa…”. Z. Ibriqi e shtyu përpara kërkesën, dhe Këshilli i Arsimtarëve aprovoi plotësimin e statutit, ku përfshihej përparimi i nxënësve.

Kjo qe e arritur për ne. Në qershor hymë në provime të të gjitha lëndëve të vitit të katërt. Ashtu siç duhej me shkrim, por edhe me gojë. Të gjitha lëndët i kaluam përpos matematikës dhe gjeometrisë deskriptive. Profesori B.H. qe aq rigoroz sa nuk lëshoi pe. Për ne matematika e vitit të katërt qe kafshatë e pa kapërdirë. Nuk kaloi hapi i dytë. E vijuam në vjeshtë vitin e katërt, të privilegjuar nga shumica dërmuese e profesorëve, që nuk na pyesnin fare, por notoheshim “gratis”.
Gjatë vitit të dytë (1976/77)nga baraka kaluam në objektin e ri në Poklek. E mbaj mend që në shumicën e orëve me libër brenda hapësirës ku vihet çanta unë dhe Hafiri kemi lexuar libra rreptësisht të ndaluar, të botuar në Tiranë. I organizuar në GMLK (Grupi Marksist- Leninist i Kosovës, më vonë OMLK, LPRK, LPK) kisha mundësi për libra të tillë, të cilët ia jepja pa hezitim Hafirit, bazuar në karakterin e tij dhe në besimin që nga ai nuk rrezikohesha. Ky bashkëpunim ishte një formë e veprimit, që tregon se Hafir Shala së pari ka qenë pjesë indirekte e GMLK-së.
Hafiri rridhte nga një familje me gjendje të mirë ekonomike. Babai i tij, Isufi, punonte në Gjermani. Për rrugën disa kilometrash, babai i sillte këpucë të veçanta. Në maje kishin një veshje metalike dhe e përballonin baltën e asaj kohe. Me kërkesë time dhe nga dëshira e zjarrtë librat e Alfred Uçit “Estetika, Jeta, Arti” dhe “Probleme estetike” si dhe romanin e sapo botuar të Ismail Kadaresë “Dimri i madh” baca Isuf i bleu përmes postës nga shtëpia botuese “Naim Frashëri”. Ai i solli më vonë nga Gjermania, pa ndonjë shqetësim.
Romanin “Dimri i madh”, në atë kohë, e kanë lexuar një rreth goxha i gjerë lexuesish.
Pas përfundimit të gjimnazit, Hafiri kishte ambicie për ta studiuar mjekësinë në Zagreb. Nuk arrit të regjistrohej fillimisht në Fakultetin e Mjekësisë, por vijoi një vit në veterinari. Pas vitit të parë, kreu ndryshimet dhe e përfundoi Fakultetin e Mjekësisë. Ngashkollimi në Zagreb kishte përfituar shumë. Shpërputhjet midis mundësive që ofronte mjekësia në Kroaci dhe ajo kur filloi punën në Kosovë, e shqetësonin. Asnjë medikament nuk jepet pa pasqyrë të analizave, thoshte.
Gjatë kohës së studimeve Hafiri kishte njohur Fehmi Lladrovcin (tashmë hero i mirënjohur). Aty kishte gjetur bashkëmendimtarë. I organizuar për veprimtari kundër Jugosllavisë, ai me disa shokë arrestohet në nëntor 1984. Në burg ishte kalitur rrënjësisht. Idhull i tij ishte simboli i qëbdresës shqiptare në burgje jugosllave, Adem Demaçi, çër të cilin ruajti respekt të pacenuar.
Unë veç isha burgosur në fundjanar 1982. Hafiri u lirua nga burgu më 1998. Më 30 janar 1990 ra dëshmor djali i axhës së tij, Sahit Ibish Shala. Pas rënies së strukturave komuniste në Kosovë, Hafir Shal punoi si mjek në Shtëpinë e Shëndetit në Drenas. Kur admnistrata e dhunshme serbe i nxori mjekët shqiptarë jashtë sistemit institucional, dr. Hafiri u angazhua në Shoqatën humanitare “Nënë Tereze”, ku dha kontribut në ambulancat me po atë emër në fshatrat e Drenicës. Qe aktiv në kryesinë e Degës së Lidhjes Demokratike të Kosovës.
Me të shpërthyer lufta e Ushtrsë Çlirimtare të Kosovës, dr. Hafir Shala dhe kontribut të jashëzakonshëm në shërimin dhe trajtimin e të plagosurve. Dita e 10 prillit qe fatale. Kosova humbi një veprimtar, një atdhetar e humanist të rrallë. Në momentet më të vështira, Hafiri qe me popullin, me njeriun e vendit të tij.
Fati jetësor i Hafirit ka përvëluar zemrën e babait, Isufit, të nënës Shukrije, të vëllezërve, Jahirit dhe Hasanit, të vajzave: Blerinës, Dafinës, Kaltrinës, Adelinës, Aurelës dhe të djalit, Gentritit, në atë kohë rreth katër vjeç.
Vëllai i madh, Jahiri, tërë dashurinë vëllazërore e shprehte me thirrjen “baci Fil”, duke iu referuar vëllait më të ri me ndajshtimin bac, por që kishte shije.
Hafiri u nderua me emërtimin e Shtëpisë së Shëndetit në Drenas me emrin e tij, me shtatoren krenare që qëndron skaj oborrit të saj, me Urdhrin Hero i Kosovës, nënshkruar nga Presidenti Thaçi. Hafiri qe 38 vjeçar në ag të lirisë.
Derisa Gentri ishte rreth katër vjeç kur i ati u kidnapua nga segmentet e sigurimit sekret serb, sonte Hafiri i Ri është gjashtë muajsh. Ai u lind 26 vjet pas çlirimit të Kosovës.
Sonte na bashkoi trungu, dega dhe lastari i lisit të përjetshëm të familjes Shala.



