Ndihma e diasporës kosovare në luftën kundër COVID-19

11 qershor 2020 | 10:49

Ndihma që mërgimtarët e japin për shtetin e Kosovës ishte e pashmangshme edhe gjatë pandemisë COVID-19.

Mbi 722 mijë euro janë grumbulluar nga ndihmat e ardhura nga diaspora gjatë kësaj kohe. Këtë e ka konfirmuar për Radion Evropa e Lirë, përmes një përgjigjeje me shkrim, drejtori i përgjithshëm i Thesarit të Kosovës, Ahmet Ismaili.

“Totali i pranimeve në nën-llogarinë e dedikuar të Thesarit deri tani është 722,164.66 euro, ndërsa gjendja e kësaj nën-llogarie është 716,773.93 euro”, thuhet në përgjigje.

Ndihma nga diaspora ka ardhur pas thirrjes që u ka bërë mërgimtarëve ish-kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, më 12 prill të këtij viti. Një muaj pas konfirmimit të rasteve të para me COVID-19, Kurti përmes një video-mesazhi, ka kërkuar nga mërgimtarët që ta ndihmojnë qeverinë me mjete financiare, për ta luftuar sëmundjen.

Më 22 maj, Albin Kurti, derisa ishte kryeministër në detyrë i Kosovës, ka bërë të ditur se janë mbledhur 720 mijë euro nga mbështetja financiare e diasporës për luftimin e COVID-19. Për më shumë se dy javë prej asaj kohe, nga mërgimtarët janë dërguar edhe mbi 2 mijë euro të tjera.

“Në këtë nën-llogari do të vazhdojnë të pranohen mjetet që dedikohen për qëllimin e hapur, deri në një vendim tjetër”, ka thënë Ismaili.

Ministrja e Financave dhe Transfereve, Hykmete Bajrami, nuk ka dhënë ndonjë koment se deri kur do të jetë funksional ky fond.

Radio Evropa e Lirë ka tentuar të flasë edhe me ish-udhëheqësin e këtij dikasteri Besnik Bislimi, por i njëjti ka qenë i paqasshëm.

Pas shpërthimit të pandemisë COVID-19 në mars të këtij viti, Qeveria e kaluar e Kosovës, kishte ndarë rreth 200 milionë euro për të ndihmuar bizneset e goditura si pasojë e Coronavirusit.

Gjatë muajit prill, Qeveria e Kosovës e udhëhequr nga ish-kryeministri Albin Kurti, kishte miratuar një pako emergjente në vlerë prej 179 milionë euro. Kurse në fillim të muajit qershor kishte ndarë edhe 12 milionë euro për Pakon Emergjente Fiskale.

Megjithatë, ish-kryeministri Kurti i kishte bërë thirrje mërgimtarëve që të ndihmojnë Kosovën në kalimin kësaj situate, thirrja sipas drejtorit të organizatës ÇOHU, Arton Demhasaj, ka qenë e pakuptimtë. Sipas tij, kjo kërkesë nuk është dashur të bëhet, marrë parasysh kontributin e vazhdueshëm që diaspora jep për Kosovën.

“Diaspora kontribuon aq shumë për buxhetin dhe ekonominë e Kosovës, saqë nuk besoj se është dashur ose që duhet ta ngarkojmë edhe me donacione apo fonde të tjera, pra siç është ky fondi nga qeveria e kaluar Kurti. Vazhdimisht ata japin ndihmë për Kosovën, e dimë sa janë prurjet në Kosovë. Në vit janë diku rreth 1 miliard euro që hyjnë nga diaspora në mënyra të ndryshme”, ka thënë Demhasaj, duke shtuar se autoritetet në Kosovë duhet që me potencialin e brendshëm ta luftojnë pandeminë.

Numri i qytetarëve të Kosovës që jetojnë jashtë vendit, sipas të dhënave të Agjencisë së Statistikave të Kosovës, deri në fund të vitit 2018, vlerësohet të jetë mbi 850 mijë.

Ekonomia e Kosovës vazhdon të ketë një varshmëri të madhe nga remitencat apo dërgesat e qytetarëve të Kosovës që jetojnë dhe punojnë në vende të ndryshme të botës. Në vitin 2019, vlera e remitencave ishte mbi 800 milionë euro.

Këto mjete, përgjatë viteve, kanë pasur një rol të rëndësishëm në ekonominë e Kosovës, duke nxitur rritjen ekonomike dhe duke siguruar të ardhura shtesë për familjet me të ardhura më të ulëta.

Kosova, deri më 9 qershor, ka konfirmuar 1,269 raste me Coronavirus, prej tyre 912 janë shëruar dhe 31 kanë vdekur. /REL/

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Dafina Zeqiri di të jetë gjithmonë të tërheq vëmendjen Këngëtarja…