Ndihmohen 140 familje skamnore në Kamenicë me pako ushqimore dhe higjienike

05 qershor 2020 | 11:04

Komuna e Kamenicës, në bashkëpunim me organizatën joqeveritare “Network of Peace Movement” (NOPM), ka bërë shpërndarjen e pakove ushqimore dhe higjienike për 140 familje në nevojë për shkak të situatës aktuale me pandeminë Covid-19.

Kjo organizatë ka mbështetur familjet në nevojë, grupet e margjinalizuara të shoqërisë, të kthyerit dhe familje nga komunitetet shumicë dhe joshumicë, përfshirë gratë, të moshuarit dhe fëmijët e të gjitha komuniteteve që jetojnë në komunën e Kamenicës, me furnizime të nevojshme ushqimore dhe pako higjienike.

Nënkryetari për komunitete në Komunën e Kamenicës, Bojan Stamenkoviq, së bashku me organizatën NOPM dhe me Qendrën për Punë dhe Mirëqenie Sociale, me ndihmën e Kryqit të Kuq vendor kanë përgatitur listën e përfituesve, duke identifikuar rastet në nevojë.

Stamenkoviqi ka thënë se Komuna e Kamenicës me mundësitë që ka u ka dalë në ndihmë gjatë periudhës së pandemisë të gjithë atyre që kanë pasur nevojë. Aksioni humanitar është përmbyllur brenda katër ditëve të punës, ku janë përfshirë vullnetarë nga komuna të cilët së bashku me stafin e NOPM kanë siguruar transportin për shpërndarjen e 140 paketave për përfituesit.

Totali i familjeve të ndihmuara është: 59 familje shqiptare, 45 familje serbe, 32 familje rome dhe 4 familje gorane. Ndërsa përfitues në bazë individuale janë gjithsej 484 individë, nga të cilët 225 shqiptarë, 111 serbë, 128 romë dhe 20 goranë.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Pas më shumë se dy muajsh e gjysmë mbyllje, autoritetet…