Ndikimi i stresit në performacën e punëtorëve

14 gusht 2018 | 16:45

Shkruan: Sejdë Tolaj / PhD

Performanca individuale e punëtorëve varet nga tre faktorë që janë: aftësia për të bërë punën, niveli i përpjekjeve si dhe mbështetja që punëtorët kanë në dispozicion. Marrëdhënia në mes të faktorëve të lartpërmendur, e pranuar gjerësisht në literaturën e menaxhimit, është se performanca (P) është rezultat i aftësisë (A) të përpjekjeve (E) si dhe mbështetjes (S) sipas formulës (P = AxExS).

Performanca zvogëlohet nëse ndonjë nga këta faktorë zvogëlohet ose mungon. Gjetjet e këtij studimi konfirmojnë se pasiguria në vend pune, mungesa e mbështetjes nga mbikëqyrësi, trajtimi joadekuat nga punëdhënësi dhe pagesa e pamjaftueshme ndikojnë shumë në marrëdhënien midis stresit dhe performancës së punës në shembullin e sektorit publik dhe privat në Kosovë.

Ky konstatim përputhet shumë mirë me literaturën e stresit e cila reflekton kryesisht vendet perëndimore.

Produktiviteti sipas Meneze është aftësia e punëtorëve për të kryer punët ose shërbimet sipas standardeve dhe pritshmërive të vendosura nga punëdhënësi (Meneze, 2006).

Produktiviteti mund të llogaritet duke e krahasuar produktin total me inputin e përgjithshëm të përdorur për të prodhuar produktet ose kryer shërbimet.

Sipas një udhëzuesi të Singaporit për matjen e produktivitetit të vitit 2011, këto mënyra të matjes së produktivitetit lehtësojnë vlerësimin e performancës së punëtorëve. Kështu mësohet më shumë mbi mangësitë e performancës së punëtorëve e cila pastaj ndihmon në identifikimin e nevojave për trajnim të punëtorëve.

Analiza e të dhënave dhe gjetjet e këtij hulumtimi tregojnë se 2 nga 3 të të anketuarve  (69 %) konsiderojnë se përballen me faktorë stresues ne vendin e tyre të punës, i cili për më tepër ndikon negativisht në performancën e punës.

Koeficientet e stresit të punës në modelin e regresionit linear tregojnë 0.082,0.087,0.29 ,0.187 rritje të performancës së punës, për njësi; me çdo rritje për njësi të pasigurisë në vendin e punës, mungesë të mbështetjes nga mbikëqyrësi, trajtim joadekuat nga punëdhënësi dhe pagesë të pamjaftueshme.

Pra sipas hulumtimit të bërë në ndërmarrjet publike dhe private në Kosovë del sa më i shprehur të jetë trajtimi joadekuat nga punëdhënësi dhe pagesa e pamjaftueshme, aq më të mëdha do të jenë 2 / 2 efektet negative në performancën e punës dhe e kundërta sa më i mirë trajtimi nga punëdhënësi dhe pagesa aq më e mirë do të jetë performanca e punonjësit.

Deri në një pikë  përderisa rritet stresi, njëjtë rritet edhe cilësia në performancë. Megjithatë, nëse stresi vazhdon të rritet përtej një pike optimale, performanca do të kulmojë dhe të fillojë të bjerë. Kjo tregon se stresi është i nevojshëm për të përmirësuar performancën, por sapo të kaloj një nivel të caktuar, është e dëmshme dhe kundërproduktive.

Stresi i tepërt është i dëmshëm, destruktiv dhe i dëmshëm për mirëqenien dhe produktivitetin e punëtorëve.

Kur niveli i stresit është në zero ose shumë i ulët, punëtori mban një nivel të lartë të performancës në punë. Në këtë nivel, punëtori nuk aktivizohet më shume dhe nuk vuan nga ndonjë stres,  andaj edhe nuk sheh ndonjë arsye për të ndryshuar nivelin e performancës. Nga ana tjetër, në rastet me nivele të ulëta stresi, individët janë të motivuar për të rritur nivelin e performancës së tyre. Një nivel i caktuar stresi stimulon edhe më shumë menaxherin kur ballafaqohet me një problem të vështirë që duhet të zgjidhë.

Në mënyrë të ngjashme, një nivel i caktuar stresi mund të ndikojë në krijimin e një aktiviteti inovativ për zgjidhjen e problemeve të vështira. Së fundmi, nivelet e larta të stresit fillojnë të shfaqin efekte negative dhe kështu  performanca fillon të bjerë. Niveli i lartë i stresit konsumon vëmendjen dhe energjinë e individit, duke lënë pak përqendrim dhe energji për punën.

Efektet e stresit në vende të punës janë zvogëlimi i efikasitetit, performanca jo e mirë, mos-interesimi për punë, ngurtësia e mendimeve, mos-shqetësimi për organizatën dhe kolegët, si dhe humbja e përgjegjësisë. Stresi në punë kontribuon në uljen e motivimit dhe moralit, performancë më të dobët, ndërrim të stafit, pushime mjekësore, aksidente, pakënaqësi në punë, produkte dhe shërbime të dobëta, komunikim të dobët të brendshëm si dhe në konflikte.

Stresi në një masë të caktuar ndihmon në përmirësimin e performancës së individit, ndërsa sasia e tepërt e shkakton ulje të performancës (Stevenson dhe Harper, 2006).

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Presidenti i Republikës së Kosovës, Hashim Thaçi, e ka përshëndetur…