Ndizen qirinj për viktimat e gjenocidit në Kosovë: 15 janari të ngulitet në vetëdijen e çdo qytetari shqiptar

15 janar 2024 | 22:08

Me rastin e Ditës së Përkujtimit të Gjenocidit në Kosovë, Qendra “Gjenocidi në Kosovë – Plagë e Hapur” ka ndezur të hënën qirinj në shkallët e Teatrit Kombëtar në Prishtinë, në shenjë përkujtimi për viktimat e gjenocidit në Kosovë.

Ndezja e qirinjve nën moton “Ne nuk harrojmë – Ndize një qiri për viktimat e gjenocidit në Kosovë”, është bërë edhe në sheshet e qyteteve tjera të vendit.

Udhëheqësi i Qendrës “Gjenocidi në Kosovë – Plagë e Hapur”, Bardhyl Mahmuti, ka theksuar se 15 janari- Dita e Gjenocidit, duhet të ngulitet në vetëdijen e çdo qytetari shqiptar.

Sipas tij, çështja e gjenocidit nuk u takon vetëm shqiptarëve, kjo i përket mbarë njerëzimit. Në këtë drejtim, ai ka thënë se Dita e Gjenocidit në Kosovë duhet të sensibilizohet në përmasa ndërkombëtare që drejtësia të ngadhënjej.

“15 janari duhet të ngulitet në vetëdijen e çdo qytetari shqiptar, që ta shpërndajë në botë, sepse është dita e gjenocidit ndaj shqiptarëve. Çështja e gjenocidit nuk u takon vetëm shqiptarëve, kjo i përket mbarë njerëzimit dhe, në qoftë se arrijmë që ta sensibilizojmë çështjen e gjenocidit në përmasa ndërkombëtare atëherë do të kemi solidarizimin ndërkombëtar që drejtësia të ngadhënjej dhe njëherë e përgjithmonë të kthejmë faqen e historisë”, ka thënë Bardhyl Mahmuti.

Zëvendësudhëheqësi i kësaj qendre, Adnan Asllani, duke përmendur numrin e viktimave të luftës së fundit, ka kërkuar të dënohet gjenocidi serb që ka ndodhur 25 vjet më parë në Kosovë.

“25 vjet më parë forcat serbe kanë kryer akte të tmerrshme gjenocidi duke vrarë mbi 10 mijë shqiptarë, duke përdhunuar mbi 25 mijë femra e meshkuj shqiptarë, duke dëbuar shumicën e popullit nga Kosova dhe duke shkatërruar objektet e trashëgimisë kulturore shqiptare”, ka thënë ai.

Përfaqësuesit e Qendrës “Gjenocidi në Kosovë – Plagë e Hapur” kanë theksuar se përkujtimi i viktimave të Gjenocidit në Kosovë është më e pakta që ata duhet të bëjnë në rrugëtimin për ngadhënjimin e drejtësisë dhe ndëshkimin e krimit.

Ish-deputetja e Kuvendit të Kosovës, veprimtarja, Flora Brovina, ka kërkuar nga shtetet mike të Kosovës të nxjerrin rezoluta kundër gjenocidit, në mënyrë që Kosova të ketë më të lehtë ngritjen e akuzës ndaj Serbisë.

“Institucionet qeveritare duhet që të punojnë më shumë që parlamentet e shteteve mike që na kanë pranuar si të pavarur, të nisin e të nxjerrin rezoluta kundër gjenocidit që ka ndodhur në Kosovë, pra secili shtet, duke filluar prej Shqipërisë, në mënyrë që të na lehtësohet puna për ngritjen e akuzës”, ka thënë Brovina.

 

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Rusia, sipas të përditshmes gjermane Bild, ka një plan sekret…