NDJENJA E PËRKUSHTIMIT NË ARTIN POETIK TË IBRAHIM SKENDERIT
Bedri Halimi
Emri i Ibrahim Skenderit është i njohur në letërsinë shqipe, sidomos në letërsinë për fëmijë, ku ka shkruar poezi, poema, drama e tregime për fëmijë. Por Ibrahim Skenderi është i njohur edhe me shkrime të sferës së etnokulturës opojane si në lëminë e historisë, gjuhësisë, folklorit, dhe etnologjisë. Krahas shkrimeve të tilla, Ibrahim Skenderi në letërsinë për të rritur ka shkruar një varg poezish, shumicën e të cilave i ka botuar në tre librat e tij: “Pas heshtjes” (1994), “Portret i pakryer” (1996) dhe “Dritëhënë” (2001).
Derisa ishte gjallë autori, është biseduar nga ana ime ideja që të botonte një libër me poezi të përzgjedhura për të rritur, që në një mënyrë ky libër do të ishte reprezentues i krijimtarisë poetike të poetit Ibrahim Skenderi.
Meqenëse tashmë autori është i ndjerë, dhe nuk arriti që ta përjetonte botimin e këtij libri, këtë ide jemi munduar që ta bëjmë realitet.
Krijimtaria e Ibrahim Skenderit në fushën e poezisë, daton që nga periudha e monizmit, gjatë kohës kur ai ishte për një kohë të gjatë drejtor i shkollës fillore “Sezai Surroi” në Bellobrad. Por atëbotë, krijimet e tij nuk ka pasur ku dhe si t’i botonte. Kështu që me daljen në skenë të revistës “Buletini”, përkatësisht “Sharri”, Ibrahim Skenderi filloi të merret më intenzivisht me poezi për të rritur, ku shumë nga krijimet e tij janë lexuar si nga vetë autori, ashtu edhe nga nxënës në shkolla të ndryshme fillore të Opojës apo edhe në gjimnaz të Dragashit.
Në vitin 2011, nga Shoqata Kukturore Ymer Prizreni, nën përkujdesin tim është bërë përzgjedhja dhe botimi i poezive nga autorë opojanë, në një libër të përbashkët me titull simbolik “Lule në Zinovë”, ku në këtë libër në mesin e 15 krijuesve të prezantuar, është edhe krijimtaria e përzgjedhur e Ibrahim Skenderit, i cili në këtë libër është prezantuar me 26 poezi.
Janë këto poezitë nga dy librat e parë të tij me poezi për të rritur, pra nga librat “Pas Heshtjes” dhe libri “Portret i pakryer”. Ndërkaq në këtë libër mungojnë poezitë nga libri i tretë me titull “Dritëhënë”, ngase ky libër u botua pas botimit të librit me poezi të përzgjedhura të autorëve opojanë me titull “Lule në Zinovë”.
Kështu që, në këtë rast, krahas poezive të Ibrahim Skenderit të prezantuara në librin “Lule në Zinovë”, po nga këta libra janë marrë edhe disa poezi të tjera, si dhe janë shtuar poezitë nga libri i tretë i tij “Dritëhënë”.
Sigurisht që Ibrahim Skenderi mund të ketë edhe poezi të tjera për të rritur, e që i kanë mbetur të pabotuara, dhe që shpresojmë që familja e tij do të ia vë në dispozicion njerëzve kompetentë të kulturës për t’u marrë me botimin e tyre. Në këtë rast duam të theksojmë, se në këtë libër janë të prezantuar edhe dy poezi të Ibrahim Skenderit që nuk janë të botuara në asnjërin nga librat e përmendur: njëra i kushtohet bashkëshortes së ndjerë të vetë autorit, si dhe tjetra i kushtohet simbolit të rezistencës kombëtare Adem Demaçit, me të cilën poezi Ibrahim Skenderi, është shpërblyer me vendin e parë, nga Lidhja e Shkrimtarëve të Kosovës.
Përmbajtja e poezive
Poezia e Ibrahim Skenderit, është poezi e kapshme për lexuesin e shtresave të gjëra. Pra autori në vargjet e tij nuk bën eksperimente duke shkruar për gjëra abstrakte, por ai shkruan qartë me mjeshtëri, për temat konkrete që trajton.
Poezia e Ibrahim Skenderit i përkushtohet ngjarjeve të caktuara historike të periudhave të ndryshme të çështjes kombëtare si dhe përsonaliteteve të ndryshme të çështjes kombëtare si: Jusuf Gërvallës, Ymer Prizrenit, Besim Opojës, Dëshmorëve të UÇK-së, Adem Jasharit, Shote Galicës, Dervish Shaqes, Anton Çetës, etj. Disa nga krijimet e Ibrahim Skenderit janë të denja edhe për tekste këngësh për shkak se kanë ritëm dhe muzikalitet funksional. Me një fjalë poezia e Ibrahim Skenderit është poezi përkushtuese. Prandaj jo rastësisht këtij libri me poezi të zgjedhura të Ibrahim Skënderit, ja lamë titullin “Plagë që kullon”, titull ky i marrë nga poezia me të njëjtin titull nga libri i dytë “Portret i pakryer”.
Zëri i plak shkëmbit
Thoshte diç
Në Vjetën e Zezë njeriu hante bar…
Toka të shkonte për një gojë bukë…
Po hajrin nuk ja panë
Po sot, o Zot!
Fjala e plakut
Plagë a do të kullojë?
(Portret i pakryer, faqe 27)
Ndër plagët natyrisht është edhe plaga e kurbetit e cila temë nuk mbetet e patrajtuar nga autori Ibrahim Skenderi, ku poezia “Mërgimtari” është një poezi antologjike, e cila tashmë është shndërruar edhe në këngë, ku thotë:
Fotografi fëmijësh
Mes plaçkave palos
Imazhin e pleqve
Kujtim me vete e mban
Faculetën me lot
në grusht e mbështjell
si dikur edhe sot
rrugën e kurbetit merr
Mallkon jetën e mërgimtarit
Vendlindjen nuk e harron
I dashur është atdheu
Mbi të fatit ndërton
(Pas heshtjes, faqe 38)
Gama e interesimeve të Ibrahim Skenderit është jeta, vuajtjet, robëria. Ai në këtë drejtim frymëzohet edhe nga tema ekzistenciale e kulturore me elemente etnografike si: Vallet popullore; Etnografi; Një djep; Dasmë fshati; Plisi…
Por Ibrahim Skenderi përmes vargjeve të tij nuk ka ndenjur indiferent as ndaj dukurive devijante që kanë ekzistuar e ekzistojnë akoma në shoqërinë shqiptare. Prandaj ai përmes forcës së artit fshikullon pamëshirshëm duke kamxhikosur veset e këqija të njerëzve si dhe veprimet po të këqija të mentalitetit jozhvillimor.
Pothuaj e tërë veprimtaria krijuese në poezi e Ibrahim Skenderit u përkushtohet këtyre dimensioneve të përmendura më lartë.
Dashuria e Madhe dhe mungesa e temës intime
Ndërkaq Ibrahim Skenderi në temën e dashurisë në krijimtarinë letrare është treguar i kursyer. Dhe këtë nuk e ka bërë jo pse i ka munguar ndjenja e dashurisë apo frymëzimi për temën e dashurisë. Por këtë e ka bërë për arsye se, siç thoshte Dritëro Agolli në poezinë “poetëve që vijnë”: “kemi mundur edhe ne, të belbëzojmë, oh moj bel këputuraa. Por ishte koha kur shtypshkronjat i kishim për gjëra më të larta”. Pra Ibrahim Skenderi i është përmbajtur jo vetëm maksimës Agolliane, por edhe asaj të shkrimtarit të njohur hungarez Shandor Petefit që thotë: “Për dashuri jap jetën, por për ideal jap dashurinë”.
Shembuj të temës së poezive
Këtu më poshtë po sjellim ca shembuj të poezive përkushtuese të Ibrahim Skenderit, që i kushtohen ngjarjeve të ndryshme të historisë kombëtare, pastaj përsonaliteteve të ndryshme në historinë kombëtare si dhe së fundi shembuj ku autori paraqet në mënyrë kritike veset dhe dukuritë devijante që kanë ekzistuar e ekzistojnë në shoqërinë shqiptare.
Te poezia përkushtuese ndaj masakrave serbe, në poezinë me titull “Kur varri flet”, poeti shkruan:
…gratë me fëmijë të vegjël në gji
Kamikazuan trembdhjetë pashë
Në fund të pusit
Nderin mbrojtën me vdekje
Kortezhi si vargan
Të lidhur me shoka veku
Nga pajë e fatit
Ecin drejt Lugut të Brisë
Për të folë
Pas tetëdhjetë vjetësh
(Portret i pakryer, faqe 26)
Ndërkaq në poezinë me titull “Masakra e Tivarit”, autori përmes vargjeve i përkushtohet kësaj ngjarjeje të rëndë në historinë e shqiptarëve:
…plisi i bardhë
Noton detit të skuqur
Ruan kujtimet
E dhëndërisë
Në qiell…
(Portret i pakryer, faqe 13)
Po kështu, autori shkruan përmes vargjeve për personalitete të ndryshme, ku si shembull po sjellim disa vargje nga poezia me titull “Po rritesh sot” që i kushtohet Ymer Prizrenit, autori shkruan:
…E ty burrë
Për një shekull të dogji malli
Në Ulqin
Për Prizrenin
Për Besën e lidhur Shqiptare
Për Zgatarin e rrënjës sate…
(Dritëhënë, faqe 52)
Përderisa përmes poezive përkushtuese Ibrahim Skenderi jo vetëm që synon t’i rikujtoj përsonalitetet dhe ngjarjet historike, por përmes artit dëshiron që t’i përcjell te receptuesi, pra te lexuesi, mesazhin dhe porosinë që rruga e përsonaliteteve historike jo vetëm që nuk bën të harrohet, por përkundrazi kjo rrugë duhet të vazhdohet përmes brezave që vijnë.
Ndërkaq te poezitë kritike qëllimi i autorit nuk është vetëm për të vënë në spikamë një dukuri devijante, por përmes fuqisë së artit synon t’i jepë mesazh lexuesit se si nuk duhet vepruar.
Kështu për shembull te poezia me titull “Korbat”, autori shkruan:
Pasi i harxhojnë viktimat
Njëri – tjetrin hanë
Vallen e triumfit
Improvizojnë
(Portret i pakryer, faqe 37)
Dhe jo vetëm kaq! Por jep mesazh edhe se si duhet luftuar e keqja, qoftë te ata që akoma nuk i ka zënë rrota e së keqes, qoftë te ata që janë bërë personazhe të së keqes, e të cilët poeti Ibrahim Skenderi synon që të bëjë shërimin e tyre përmes artit, sepse të tillët duke i lexuar vargjet kritike të Ibrahim Skenderit do ta ndjejnë vetën sikur të dalin para pasqyrës. Dhe nëse pasqyra dikujt ia qet hundën e shtrembër, ajo nuk i ka faj, por përmes vargjeve e thërret personazhin e së keqes që të merret me hundën, për t’i sanuar të metat, pra që të merret me ndërgjegjen e sëmurë që ta bëj shërimin e saj. Shumë autorë kur flasin për ndërgjegjen e sëmurë, disa e quajnë ndërgjegje e sëmurë, disa ndërgjegje e vrarë, disa ndërgjegje e mykur, disa ndërgjegje e ndryshkur. Por cilado qoftë kjo, është fjala për defekt në ndërgjegje, prandaj Ibrahim Skenderi bën thirrje për shërimin e ndërgjegjes nga cilido defekt qoftë.
Vargjet e Ibrahim Skenderit të prezantuara në këtë libër janë të denja jo vetëm për lexim, por edhe për rilexim. Ato mund t’u shërbejnë shumë arsimtarëve në shkolla fillore e të mesme për t’i prezantuar nëpër orë të ndryshme letrare në rastin e përvjetorëve të ndryshëm historikë apo edhe të personaliteteve historike, ashtu si dhe poezitë e shkurtra që nganjëherë kanë karakter sentencial, duke u shndërruar në urti, përkatësisht fjalë të urta, e që brenda vetës kanë porosi dhe kuptim të gjerë.
Mendojmë se me këtë libër, sadopak ia kemi dalë për t’a larë një pjesë të borxhit ndaj figurës poliedrike të krijuesit, veprimtarit, dramaturgut e piktorit Ibrahim Skenderi.



