Në 10-vjetorin e vdekjes, Thaçi dekoron Shaban Viqen me titullin “Hero i Kosovës”

10 prill 2019 | 19:45

Të mërkurën në sallën e Kuqe në Pallatin e Rinisë në kryeqytet është mbajtur akademi përkujtimore për veprimtarin e çështjes kombëtare Shaban Viqa-Baci.

Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, ka marrë vendim që ish-pjesëtari i UÇK-së Shaban Viqa-Baci të nderohet me dekoratën më të lartë të shtetit, me urdhrin “Hero i Kosovës”, në shenjë nderimi për veprën e tij kushtuar lirisë dhe pavarësisë së Kosovës.

Ai këtë e ka bërë me dije në akademinë përkujtimore kushtuar veprimtarit të dalluar të çështjes kombëtare, Shaban Viqa-Baci, me rastin e dhjetëvjetorit të ndarjes së tij nga jeta. “Bazuar në kompetencat e mia si president kam marrë vendim që Shaban Viqa-Baci të nderohet me dekoratën më të lartë të shtetit të Republikës së Kosovës me urdhrin ‘Hero i Kosovës’”, ka thënë Thaçi.

Ai ka shtuar se para dhjetë viteve pushoi zemra e një çlirimtari që jetën ia kushtoi lirisë e pavarësisë së Kosovës, por edhe betejës për bashkim kombëtar.

“Shaban Viqa i njohur si Baci i përket profilit veprimtarësh e luftëtarësh që vënë interesin kombëtar që e shndërrojnë në kauzë dhe filozofi jete dhe nuk ka si të jetë ndryshe kur dihet se ai u edukua në një familje me përcaktim të qartë kombëtar. Idealin e tij për atdhedashuri e zbuloi UÇK-ja, pa asnjë hezitim Shaban Viqa shtëpinë e tij në Greme të Ferizajt e shndërroi në bazë të UÇK-së”, është shprehur Thaçi.

Presidenti Thaçi ka thënë se jeta dhe vepra e Shabanit është e pavdekshme. “Ai u edukua prej një familje me përcaktim të qartë kombëtar. Idealin e tij atdhetar më së miri e zbuloi lufta çlirimtare. Është njëri nga pjesëmarrësit e Epopesë së Jezercit, dhe betejave të tjera. Shaban Viqa ishte i shqetësuar për fatin e shqiptarëve edhe jashtë Kosovës. Ai diti t’i bashkojë njerëzit. Ideali dhe projekti i tij ishte çlirimi i Kosovës dhe bashkimi i trojeve. Secili nga ne që e ka njohur e kujton për veprën e tij madhore”, ka thënë presidenti.

E bija e Shaban Viqës, ishte falënderuese për titullin hero që iu dha babait të saj. “Në emër të familjes Viqa ju falënderoj për titullin hero për jetën dhe veprën e babait tonë që sot zyrtarisht e nderuat me titullin hero”, ka thënë e bija e Shaban Viqës, Linda.

Kryetari i komunës së Ferizajt, Agim Aliu, ka shprehur mirënjohjen e tij për organizatorët që shënuan këtë përvjetor. “Dhjetë vjet pas ikjes në amshim na duket sikur Shabani është këtu dhe pas pak qasjes do ta takojmë për kafe, ishim mësuar praninë tij ta ndjenim edhe kur e nuk e takonim, sepse e dinim që ai ishte në lëvizje duke mos munguar kurrë aty ku dëgjohet një klithje atdheu”, ka thënë ai.

Aliu ka theksuar se Viqa çdo herë është vënë në shërbim të vendit deri në flijimin e jetës së tij.

Lideri i Bashkimit Demokratik për Integrim në Maqedoni, Ali Ahmeti, ka thënë se me këtë dekoratë që i është bërë Bacit, familja ka fituar begatinë më të madhe për një njeri. “Shtëpia e tij ishte një gërzhim nga ku u mobilizuan me organizim të Bacit me dhjetëra ushtar për në front të UÇK, ishte shtëpia e bacit ku u bë depo e kazermë për të furnizuar frontin e UÇK-së, prandaj Shaban Viqa do të kujtohet me jetë e jetë. Familja humbi bashkëshortin, babanë, vëllanë, dhe kjo është humbje e madhe, por sot me dekorim për Bacin si hero të Kosovës ju keni fituar begatinë më të madhe që mund të ketë një familje e një njeri, prandaj presidenti ka bërë punën e duhur”, ka thënë Ahmeti.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Nën përkujdesjen e kryetarit të Komunës së Drenasit, Ramiz Lladrovci,…