NË BUZËQESHJEN TIME

09 dhjetor 15:56

TEUTA HAXHIMUSA-ÇERKINI

NË BUZËQESHJEN TIME

Ne dy bashkë ishim pengje në Dubravë

Ia thërrisnim emrin njëri-tjetrit, kur ishim pa ndjenja,

pa fjalë

Ia kujtonim diellin njëri-tjetrit

kur shpirti na ngrinte në atë skëterrë
Ne dy gladiatorë i fshinim gjakun njëri-tjetrit, sa e sa herë

Loja vdekje luante kuturu,

si gjarpër na sillej vërdallë
Herë bëhej çizme, herë plumb, herë bombë, herë thikë e litar

Isha shtrirë mes trupash, pa e ditur ç’të ka ngjarë

Ti ike, e unë mbeta, edhe pse bashkë ndamë fatin në Dubravë

Më bëhet se ta dëgjoj zërin, si dje edhe sot!
Të kujtoj kur diellin kërkoj mes resh, si bënim dikur të dy tok
Ne dy bashkë ishim pengje në Dubravë…
Që atëherë, në BUZËQESHJEN time, mbaj dhe FORCËN tënde, vulë!

(Në shenjë kujtimi dhe nderimi për të gjithë të burgosurit-pengjet shqiptare të masakruara në burgun e Dubravës në maj 1999. Në veçanti, vargjet i dedikohen Besim M. Zymberit)

 (Kjo poezi është botuar në sprovën për antologji “Dritë mbi plagë”, botuar nga Qendra “Gjenocidi në Kosovë – Plagë e Hapur”, Gjenevë, 2020. Në ditët në vijim, duke nisur nga 13 nëntori, në gazetën “Epoka e re”, në portalin online të saj dhe në formatin Pdf po të saj, për çdo ditë do të botohen poezitë e autorëve të botuara në këtë përmbledhje)

 

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Zgjim Hyseni Jam krejt i painteresuar në temën: “Ramush Haradinaj…