Gratë që udhëheqin biznese të vogla përfitojnë nga programi i rimëkëmbjes

08 mars 2021 | 11:26

Kryeministri në detyrë i Kosovës, Avdullah Hoti mori pjesë në aktivitetin “Shënimi i 8 Marsit – Dita Ndërkombëtare e Gruas”, me ç’rast u bë edhe nënshkrimi i marrëveshjeve me përfitueset e bizneseve të vogla të grave nga programi i rimëkëmbjes ekonomike 2021 – masa 4, faza e dytë.

Me këtë rast, duke i uruar të gjitha gratë për 8 Marsin, kryeministri Hoti tha se më shumë se sa festë është ditë që ne të gjithë pa përjashtim shprehim mirënjohjen dhe vlerësimin për kontributin e grave në shoqëri, ekonomi dhe përgjithësisht në zhvillimin social të vendit, mbi të gjitha në stabilitetin e shoqërisë, familjes dhe të shtetit në çdo aspekt.

Kryeministri Hoti nënvizoi se gjatë vitit 2020, qeveria ka punuar shumë që të integrojë perspektivën gjinore në masa të rimëkëmbjes ekonomike, duke ndarë 2 milionë euro, prej të cilave 1 milion euro kryesisht për institucionet e arsimit parashkollor ku kanë përfituar 115 institucione parashkollore në nivel vendi.

“Dhe kjo mbështetje besoj nuk ka qenë e rëndësishme vetëm për funksionimin normal të këtyre institucioneve parashkollore, por ka qenë e rëndësishme sepse ne kemi siguruar përmes kësaj mase vazhdimësinë e edukimit të vazhdueshëm parashkollor për 6 mijë e 938 fëmijë dhe u kemi mundësuar familjeve të atyre fëmijëve që të mos shkëputen nga puna e përditshme që bëjnë”, ka thënë Hoti.

Ai ka shtuar se në anën tjetër përveç kësaj mase, institucionet tjera kanë ndihmuar gratë në biznes.

“Ministria e Tregtisë dhe Industrisë ka ndarë 400 mijë euro për rreth 30 biznese të udhëhequra nga gratë. Kemi dizajnuar masa më specifike përmes vendimeve ekzekutive të qeverisë. Në fund të vitit të kaluar me organizim të Agjencisë për Barazi Gjinore, të Ministrisë së Punës dhe Mirëqenies Sociale, ne kemi ndarë mjete financiare për dhjetë strehimore që janë të licencuara e që ofrojnë mbrojtje specifike për qytetarët e Kosovës, me orientimin tonë që tash këto strehimore të bëhen pjesë e planifikimit të rregullt të institucioneve të qeverisë, jo vetëm përmes financimit ‘ad hoc’, por duke i bërë pjesë të planifikimit të rregullt buxhetor”, është shprehur ai.

Hoti ka theksuar se kjo përkrahje kjo do të vazhdojë edhe më tutje, pavarësisht ndryshimeve që mund të ndodhin.

“Të fuqizojmë gratë në ekonomi, të rrisim pavarësinë financiare dhe ekonomike të grave dhe ta eliminojmë plotësisht dukurinë negative, që është dhuna ndaj grave në familje dhe në shoqëri”, ka deklaruar Hoti.

Ai ka thënë se gjatë qeverisjes së tij kanë dhënë evidencë të mirë sa i përket integrimit të politikave gjinore.

“Kemi vendosur një standard që duhet të mirëmbahet më tutje, të integrimit të politikave gjinore, të gjithë politikat pa përjashtim, të zbatimit të Programit të Kosovës për Barazi Gjinore 2020-2024, që është në përputhje më Ligjin për Barazi Gjinore dhe në respektim të synimeve të mijëvjeçarit. Mua më vjen shumë mirë që e përmbyllim këtë program sot edhe me një informatë të mirë në bazë të evidencës që ka nxjerrë Agjencia për Barazi Gjinore, ku sipas të dhënave të sistemit të Kombeve të Bashkuara që quhet ‘Gjurmuesi Global Gjinor në kundërpërgjigje ndaj Covid-it’, Kosova është në mesin e 15 vendeve që kishte masa për sigurimin ekonomik të grave gjatë kohës së pandemisë, krahas shteteve më të zhvilluara të botës siç është: Kanadaja, Belgjika, Italia, Sllovenia, ShBA-të dhe disa prej vendeve në regjion”, është shprehur kryeministri në detyrë, Avdullah Hoti.

 

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Kandidati për deputet nga radhët e AKR-së e që ishte…