Në dy dekadat e ardhshme pellgjet e Kosovës do të përballen me stres të ujit

11 nëntor 08:36

Dajana Berisha nga organizata KOSID ka thënë se në 20 vitet e ardhshme pritet që të gjitha pellgjet e Kosovës të përballen me stres të ujit.

Duke folur në ‘Samitin e lumenjve’, Berisha ka thënë se Kosova është gjithnjë e më e ndjeshme ndaj përmbytjeve dhe thatësirave. Sipas saj, të dyja këto mund të kenë ndikime të thella te qytetarët.

“Me rritjen e ndikimit të ujit, cilësia e ujit do të bëhet gjithnjë më problematike nëse ajo nuk adresohet në burimet e saja të shumta si amvisëri, industri, bujqësi dhe nga degradimi i ujëmbledhësve” – ka thënë Berisha.

Tutje, ajo ka thënë se Kosova ka politika dhe legjislacion të mirë për mbrojtjen e mjedisit dhe lumejnve por, sipas saj, mungon zbatimi në terren.

“Në këtë kuptim, nëse flasim për politika dhe legjislacion të Kosovës në sektorin hidrik, Kosova ka strategji dhe koordinim të përshtatshëm të nivelit të lartë, por ka nevojë që ta zhvendosë fokusin drejt zbatimit në terren dhe të monitorohet në mënyrë rigoroze dhënia e lejeve ndaj operatorëve ekonomikë, për ndërtime të tilla siç janë këto hidrocentrale” – shtoi ajo.

Ajo po ashtu ka thënë se burimet ujore në Kosovë nuk ndahen në mënyrë të barabartë te qytetarët.

Nën organizimin e KOSID (Konsorciumi kosovar i shoqërisë civile për zhvillim të qëndrueshëm) dhe Riverwatch, në Prishtinë është mbajtur Samiti i Parë për Lumenjtë e Kosovës, me temën “Lumenjtë dhe mbrojtja e tyre”.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
I ftuar në RTV Ora, gazetari Miliam Zeka u shpreh…