Në Filipine do të arrestohen përdoruesit e cigareve elektronike

19 nëntor 21:15

Filipine do të ndalojë përdorimin dhe importimin e cigareve elektronike dhe do të arrestojë këdo që i përdorë ato, tha presidenti Rodrigo Duterte.

Filipine i bashkohet një numri në rritje të vendeve, që po marrin masa për të ndaluar përdorimin e cigareve elektronike, raporton Reuters.

Presidenti Duterte njoftoi për vendimin gjatë një konference për media, pasi u pyet për një raport të Departamentit të Shëndetësisë që konfirmon rastin e parë të dëmtimit të mushkërive, që lidhet me cigaret elektronike.

“Unë do ta ndaloj atë. Përdorimin dhe importin. E dini pse? Sepse është toksike dhe qeveria ka fuqinë të nxjerrë masa, për të mbrojtur shëndetin publik dhe interesin publik”, tha Duterte, i cili gjithashtu ka ndaluar pirjen e duhanit në publik.

Ai gjithashtu udhëzoi institucionet për zbatimin e ligjit që të arrestojnë këdo që kapet duke konsumuar cigare elektronike në publik.

Industria e cigareve elektronike ka shënuar një rritje të shpejtë, mirëpo është përballur me një reagim në rritje të publikut për shqetësimet e përdorimit nga të rinjtë.

India, e cila ka popullsinë e dytë më të madhe të duhanpirësve të rritur në botë, ndaloi shitjen e cigareve elektronike në shtator, pasi paralajmëroi një “epidemi” të konsumimit midis të rinjve.

Zyrtarët e shëndetit publik në Shtetet e Bashkuara rekomanduan qytetarët të mos përdorin cigare elektronike, pasi u raportuan shumë vdekje dhe qindra raste të sëmundjeve të lidhura me përdorimin e tyre.

Në vitin 2018 tregu global i cigareve elektronike ishte në vlerë 15.7 miliardë dollarë. Parashikohet që në vitin 2023 kjo shumë të arrijë në 40 miliardë dollarë.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
“Mund të jemi edhe kriminelë, shpërndarës droge, keqbërës, por edhe…