
Në Hagë nisin dëshmitë e mbrojtjes, Spiropali: Do të hiqet njolla e fantazisë mbi emrin e UÇK-së
Ministrja për Evropën dhe Punët e Jashtme të Shqipërisë, Elisa Spiropali, ka reaguar sot lidhur me procesin në Gjykatën Speciale të Hagës, ku kanë nisur dëshmitë e mbrojtjes për ish-pjesëtarët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.
Në një postim në rrjetet sociale, Spiropali ka theksuar se në këtë moment, kur paraqitja e provave dhe dëshmive të mbrojtjes do të largojë përfundimisht njollat e fantazisë mbi emrin e UÇK-së, drejtësia duhet ta mundë njëherë e mirë padrejtësinë.
“Në Hagë nisën sot dëshmitë e mbrojtjes për çlirimtarët e Kosovës, të gjendur prej kohësh në pritjen e pafund dhe të pamerituar. Në këtë moment, kur paraqitja e provave dhe dëshmive të mbrojtjes do të largojë përfundimisht njollat e fantazisë mbi emrin e UÇK-së, drejtësia duhet ta mundë njëherë e mirë padrejtësinë. Çdo vendosje ekuivalence mes akuzave të fajësisë mbi çlirimtarët dhe lirisë që ata sollën për shqiptarët e do të ishte një barazim i turpshëm i së keqes me të mirën, një pllakë turpi në historinë e popujve për liri dhe drejtësi”, ka shkruar ajo.