
Në Hajvali gjenden mbetje mortore që dyshohet të jenë të personave të zhdukur në luftë
Autoritetet kosovare kanë gjetur të martën mbetje eshtërore të njeriut, që dyshohet se u përkasin të paktën katër personave të zhdukur gjatë luftës në Kosovë më 1998-1999, gjatë gërmimeve në varrezat e fshatit Hajvali të Prishtinës.
Kryetari i Komisionit Qeveritar të Kosovës për Personat e Zhdukur, Andin Hoti, tha se këto mbetje mortore mund të jenë të njerëzve në listën e personave të zhdukur nga lufta e fundit në Kosovë.
Ai tha se deri tani këtë vit janë kryer gërmime në 24 lokacione në gjithë Kosovën.
“Gjatë atyre gërmimeve kemi arritur të gjejmë mbetje mortore në 12 lokacione të personave që ka mundësi të jenë nga lista e personave të zhdukur. Kjo nuk do të thotë që këto mbetje mortore janë të personave të zhdukur, këtë e kuptojmë vetëm pas raportit të ADN-së dhe analizave që i bëjmë ne në Hagë”, tha Hoti për gazetarë.
Hoti tha se do të ketë gërmime edhe në lokacione të tjera deri në fund të këtij viti.
Kjo është hera e dytë që autoritetet kosovare kryejnë gërmime në këtë lokacion, sipas Kushtrim Garës nga ky komision, pas gërmimeve të kryera në tetor të vitit 1999, kur ishin gjetur trupat e tetë kufomave të luftës.
Gara theksoi se vendimi për të gërmuar sërish në këto varreza erdhi falë të dhënave të siguruara edhe nga një skicë e ofruar nga Serbia vetëm pas trysnisë së madhe nga Kryqi i Kuq Ndërkombëtar, pasi pala serbe “vazhdon të jetë jobashkëpunuese”.
“Gjithmonë e kemi theksuar se sfidë në proces mbetet mungesa e informacioneve të besueshme, që rrjedhimisht i bie mungesë e gatishmërisë së palës serbe për të qenë bashkëpunuese në këtë proces për t’i ofruar të dhënat e tyre”, tha Gara.
Më herët, Policia e Kosovës bëri të ditur se njësite të saj, në koordinim me Institutin e Mjekësisë Ligjore dhe Komisionin Qeveritar për Persona të Zhdukur, po kryenin gërmime në varrezat e këtij fshati të kryeqytetit.
Policia shtoi se urdhri u dha nga Gjykata Themelore në Prishtinë.
Sipas këtij institucioni, mbetjet mortore janë tërhequr nga Instituti i Mjekësisë Ligjore për ekzaminime dhe që punimet do të vazhdojnë edhe ditëve në vijim.
Gjatë luftës së viteve 1998/’99 në Kosovë janë vrarë rreth 13.000 njerëz, ndërsa mbi 1.500 vazhdojnë të jenë të zhdukur.
Shumica e të vrarëve ishin civilë shqiptarë.
Kosova dhe Serbia patën arritur pajtueshmëri më 2023 për Deklaratën e përbashkët për personat e zhdukur, në kuadër të dialogut për normalizimin e marrëdhënieve të ndërmjetësuar nga Bashkimi Evropian.
Në mesin e zotimeve të bëra ishin: qasja e plotë në informacione të besueshme, mes tyre edhe ato me status të klasifikuar; vënia në dispozicion të të gjitha dokumenteve me rëndësi për përcaktimin e fatit të personave të zhdukur, si dhe punë e përbashkët përmes një komisioni të kryesuar nga Bashkimi Evropian.
Megjithatë, gjithçka vazhdon të mbetet në letër, meqë asnjëra pikë nuk është zbatuar. /REL