Këto shtete kundër heqjes së vizave për qytetarët e Kosovës
U përmendën shumë herë gjatë 10 vjetëve të fundit, sa u hapën edhe shampanjë për liberalizimin e vizave, gjë që nuk po duket as afër që të ndodhë, duke parë kundërshtimin e qartë të Francës dhe Holandës.
Qeveria e Holandës u ka dërguar një letër disa eurodeputetëve me arsyetimin e kundërshtimit për heqjen e vizave për Kosovën.
Edhe Franca vazhdon ta mbajë qëndrimin e njëjtë.
Kundërshtimi i Francës dhe Holandës për liberalizimin e vizave ndaj Kosovës u sqarua këtë të hënë nga kryeministri Mark Rutte dhe shefi i diplomacisë holandeze, Stef Blok, u shkroi letër një grupi të deputetëve të Parlamentit Evropian që kishin kërkuar lëvizje të lirë për kosovarët. “Këshilli Evropian ende nuk ka marrë një vendim për liberalizimin e Kosovës, krijimi i listës nga ky vend i rasteve që po hetohen dhe gjykimet finale në raste që kanë të bëjnë me krimin e organizuar dhe korrupsionin mbetet e rëndësishme, kjo pasi që këto janë çelësi i standardeve”, thuhet në këtë letër.
Përveç këtyre, në këtë letër ngrehet edhe shqetësimi për migrimin, në veçanti forcimi në sundimin e ligjit. Ndërsa Franca ka thënë qartë se Kosova ende nuk i ka përmbushur kriteret për liberalizimin e vizave.
Ambasadorja e Francës në Kosovë ka thënë se ky shtet së bashku me disa shtete të tjera anëtare beson se Kosova nuk i ka përmbushur ende të gjitha kushtet në këtë fazë.
Ajo ka përmendur rastet e dy shteteve të cilave u janë hequr vizat, ndërsa Franca po përballet me migracion nga Gjeorgjia dhe Shqipëria dhe se kjo po i shkakton probleme të mëdha dhe kjo na bënë të jemi jashtëzakonisht të kujdesshëm në liberalizimin e vizave.



