Në këto zgjedhje partitë ta masin fuqinë veç e veç

31 korrik 17:21

Politologu Ramush Tahiri ka thënë se në situatën në të cilën gjendet Kosova zgjedhjet e parakohshme janë zgjidhje pasi nuk ka zgjidhje tjetër. Ai ka thënë se partitë politike në këto zgjedhje do të duhej që ta masin forcën veç e veç, tek pas zgjedhjeve të bëjnë koalicione për formimin e institucioneve të reja. Në këtë intervistë dhënë për gazetën “Epoka e re”, Tahiri ka theksuar se rruga më e shkurtër për t’i shpallur zgjedhjet e reja është shpërbërja e Kuvendit. “Procedura më e shkurtër të cilën e njeh ligji dhe e cila i shkurton të gjitha procedurat e tjera është të thirret seancë e jashtëzakonshme dhe të shpërbëhet Kuvendi, të cilën gjë e premtoi të hënën edhe Kadri Veseli”, ka thënë Tahiri.

Ai ka thënë se subjektet politike të PAN-it do të duhej që t’i dërgonin letër zyrtare presidentit Hashim Thaçi pas dorëheqjes së kryeministrit në mënyrë që t’i tregonin se nuk duan të propozojnë kandidat të ri për kryeministër ashtu si e parasheh nenin 95 i Kushtetutës së Republikës së Kosovës, por që duan të shkojnë në zgjedhje të parakohshme.

Duke folur për ftesën e presidentit për t’i thirrur në konsulta partitë politike, Tahiri ka thënë se Thaçi do të duhej që t’i thërriste në një takim të përbashkët të gjitha partitë në mënyrë që të mos zgjatet procedura për mbajtjen e zgjedhjeve të reja. “Nëse dëshiron që çdo ditë ta thërras nga një parti atëherë ai e zgjat procedurën që, edhe po të dojë t’i caktojë zgjedhjet, nuk mundet para muajit tetor”, ka thënë analisti Tahiri.

“Epoka e re”: Z. Tahiri, pas dorëheqjes së kryeministrit Ramush Haradinaj të gjitha partitë politike kanë shprehur gatishmëri për zgjedhje të reja, por ende nuk kemi parë ndonjë veprim që na çon drejt zgjedhjeve. Si duhet të ecet tutje?
Tahiri: Kosova duhet ta respektojë Kushtetutën, ligjet dhe procedurat e parapara. Të gjitha partitë kanë deklaruar se duan të shkojnë në zgjedhje, por asnjë parti nuk ka ndërmarrë asnjë iniciativë për ta çuar vendin në zgjedhje. Zyrtarisht nuk ka procedurë që të shkojë vendi në zgjedhje sepse z. Haradinaj në emër të partisë së tij nuk i ka dorëzuar kërkesë me shkrim presidentit se vendi duhet të shkojë në zgjedhje. Së dyti, asnjë parti politike, as nga PAN-i dhe as nga partitë e tjera, nuk i kanë dorëzuar letër zyrtare presidentit përmes së cilës tregohet se nuk janë të interesuara për asgjë tjetër, përveç mbajtjes së zgjedhjeve të reja. Subjektet politike të PAN-it do të duhej t’i dërgonin letër zyrtare presidentit, pra këtë do të duhej ta bënte z. Veseli në emër të këtij të koalicioni. Përmes kësaj letre do të duhej të tregonin se nuk duan të propozojnë kandidat të ri për kryeministër ashtu si e parasheh nenin 95 i Kushtetutës, por duan të shkojnë në zgjedhje të parakohshme. Po ashtu, 40 deputetë të Kuvendit mund të kërkojnë seancë të jashtëzakonshme dhe në këtë seancë të propozohet shpërndarja e Kuvendit me dy të tretat e votave ose, së paku, 80 vota. Pas shpërndarjes së Kuvendit, presidenti vetëm e dekreton datën e zgjedhjeve të cilat duhet të mbahen jo më herët se tridhjetë ditë dhe jo më vonë se 45 ditë pas shpërndarjes së Kuvendit. Presidenti Hashim Thaçi ka thënë se këtë javë do t’i thërrasë në konsultime partitë politike duke respektuar Kushtetutën dhe ligjet e vendit. Presidenti mund t’i thërrasë të gjitha partitë bashkë. Nëse dëshiron që çdo ditë ta thërrasë nga një parti atëherë ai e zgjatë procedurën që, edhe po të dojë t’i caktojë zgjedhjet, nuk mundet para muajit tetor.

“Epoka e re”: Meqenëse të gjitha partitë kanë shprehur gatishmëri për zgjedhje të reja, cili do të ishte veprimi më i duhur në këtë çast?
Tahiri: Unë tregova se çfarë mund të bëjnë. Pra, mund t’i dërgojnë presidentit letër secila parti, mund të dërgojnë letër në Kuvend për të kërkuar seancë të jashtëzakonshme. Procedura më e shkurtër të cilën e njeh ligji dhe e cila i shkurton të gjitha procedurat e tjera është të thirret seancë e jashtëzakonshme dhe të shpërbëhet Kuvendi të cilën gjë e premtoi të hënën edhe Kadri Veseli. Pra, Veseli si kryetar i Kuvendit të Kosovës mund t’i thërrasë në takim të gjitha partitë parlamentare dhe këtë mund ta bëjë brenda pesë ditësh. Ligji parasheh që zgjedhjet e parakohshme nuk mund të mbahen më herët se 30 ditë dhe më vonë se 45 ditë pas shpërndarjes së Kuvendit. Nëse deputetët i bëjnë dy vjet mandat më 7 gusht, atëherë Kuvendi nuk do të shpërndahet deri me këtë datë. Me ligj deputetët nuk duan ta shpërbëjnë Kuvendin para kësaj date, ngase me këtë datë hyn në fuqi dispozita ligjore e cila thotë se deputeti që nuk punon askund mund ta marrë pagën edhe për një vit.

“Epoka e re”: Do të thotë kjo se partitë politike deklarimet e tyre për zgjedhje po i bëjnë vetëm për konsum të brendshëm politik derisa nuk kanë ndërmarrë asnjë veprim?
Tahiri: Këto parti vetëm po e shqetësojnë popullin duke treguar se janë parimore, ndërsa nuk ndërmarrin asnjë veprim konkret për ta çuar vendin në zgjedhje. Populli thotë shikoja punën e jo fjalët. Ata kanë folur, por Kadri Veseli nuk mund ta thërrasë seancën në bazë të fjalëve, por duhet që të ketë në bazë të letrës.

“Epoka e re”: Si njohës i rrethanave politike, sa besoni se zgjedhjet e reja do të jenë zgjidhje për Kosovën?
Tahiri: Po. Sepse nuk ka zgjidhje tjetër. Edhe qeveria Haradinaj, pa dashur t’ia mohoj meritat, si qeveri e pakicës ka prodhuar nervozë në popull, sepse nuk i ka shtyrë vendimet dhe nuk ka qenë shumë legjitime. Çdoherë nëpër seanca është dashur të priten deputetë për të filluar seanca. Kurse opozita nuk e kishte shumicën për ta rrëzuar dhe ishim në një situatë pat pozicion. Besoj se zgjedhjet janë zgjidhje, sepse është prishur pak balanca e forcave politike dhe këtë balancë e ndreqin zgjedhjet.

“Epoka e re”: Mendoni se subjektet politike do të shkojnë të vetme në zgjedhje për ta provuar veten apo sërish do të kemi koalicione të mëdha parazgjedhore sikurse herën e fundit?
Tahiri: Nuk do të dëshiroja që partitë politike të shkojnë në zgjedhje me koalicione joparimore, sepse këto koalicione po shkaktojnë frustrim. Partitë politike do të duhej që në zgjedhjet e reja të shkojnë vetë, ndërsa koalicionet të bëhen pas zgjedhjeve. Ramush Haradinaj po thotë se po shkojnë në zgjedhje sepse partia e tij, AAK-ja, është rritur, kurse PDK-ja po thotë se nuk do të bëjë koalicione, sepse të gjithë e respektojnë forcën e tyre elektorale. Po ashtu, shpresoj që as LDK-ja nuk do t’i marrë partitë e vogla sikurse i ka marrë më herët dhe pastaj i kanë ikur. Pra, më mirë të gjitha partitë ta masin fuqinë e tyre veç e veç.

Muhamet KOCI

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Të moderuarit kundër progresistëve. 10 kandidatë presidencialë demokratë kanë zhvilluar…